E Martë, 3 Nëntor 2026

Rreziku i përmbytjeve/ Ministrja Krifca: Vijon përmirësimi i infrastrukturës së ujitje-kullimit

Teksa po afron sezoni i vjeshtës, Ministria e Bujqësisë po merr masa për t’i paraprirë fenomeneve të paqëndrueshme të motit, siç janë përmbytjet nga shiu.

Ministrja Frida Krifca njoftoi se ka nisur që tani puna për përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit në bujqësi nga veriu në jug të Shqipërisë.

Drejtoritë Rajonale të Ujitjes dhe të Kullimit në Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë mësohet se veç masave të marra në periudhën janar–maj 2023, për vënien në gatishmëri të kanaleve kryesore ujitëse, vazhdojnë monitorimin për të siguruar kapacitetet maksimale të kanaleve ujitëse të këtyre zonave.

Ministrja e Bujqësisë informoi se ato mundësojnë furnizimin për kanalet e dyta dhe të treta, të cilat mbulojnë me ujitje rreth 100 mijë hektarë toka bujqësore.

“Gjithashtu, Drejtoritë e Ujitjes dhe Kullimit po punojnë me intensitet për kryerjen e remonteve të 27 hidrovoreve si dhe pastrimin e kanaleve kryesor kullues, për të mundësuar një infrastrukturë optimale të kullimit para fillimit të sezonit me reshje, duke eliminuar rrezikun e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe sigurimin e një sezoni të mbarë prodhimi për fermerët tanë edhe gjatë muajve në vijim,” reagoi ministrja Krifca përmes një postimi në rrjetet sociale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›