Rreziku nga bullizmi dhe shantazhi online, ministrja Koçiu: Nuk janë statistika, por alarm. Forcojmë hetimet në rrjet

Nisja e fushatës globale të “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” e ka gjetur Ministrinë e Brendshme me fokusin te një problem shqetësues: dhuna digjitale.
Ministrja Albana Koçiu mori pjesë sot në Konferencën Rajonale të OSBE-së për Evropën Juglindore, ku tema qendrore ishte pikërisht “Dhuna me Bazë Gjinore Online dhe Radikalizimi drejt Dhunës në Epokën Digjitale”.
Alarmi për dhunën digjitale
Në fjalën e saj, Koçiu ngriti shqetësimin se hapësira virtuale po kthehet gjithnjë e më shumë në një terren të pasigurt.
“Dhuna ndaj grave nuk është statistikë, është alarm për veprim. Këtë vit fokusi është te rreziqet online: bullizmi, shantazhi digjital dhe radikalizimi,” deklaroi Ministrja.
Ajo nënvizoi se këto forma të reja dhune kërkojnë një qasje ndryshe nga ajo tradicionale.
Strategjia e re
Për të luftuar këtë fenomen, Ministria e Brendshme ka shpalosur një plan masash që shtrihet përtej policimit fizik. Koçiu bëri të ditur tri shtyllat kryesore ku do të bazohet ndërhyrja:
- Bashkëpunimi me platformat globale, për të bllokuar dhe gjurmuar materialet dëmshme.
- Forcimi i hetimeve kibernetike dhe rritja e kapaciteteve për të zbuluar autorët e krimeve në internet.
- Siguria në shkolla duke e lidhur me zbatimin e programeve që mbrojnë të rinjtë nga radikalizimi dhe bullizmi online.
Konferenca e OSBE-së mblodhi aktorë rajonalë për të koordinuar përpjekjet, duke pranuar se dhuna online nuk njeh kufij shtetërorë.
/rtsh.al/