E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i nismës së PL për sigurinë ushqimore, Xhixho: Jo thjesht një shqetësim për qytetarët, kriter kryesor edhe për negociatat

Zv/presidentja dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ishte e ftuara e ditës në Fax News ku foli mbi nismën mbi sigurinë ushqimore, e cila u hodh poshtë nga mazhoranca në Kuvend.

Sipas Xhixhos, siguria ushqimore nuk është thjesht një shqetësim për qytetarët shqiptarë por edhe një nga kriteret kryesore që duhet të përmbushim në procesin e integrimit.

“Kjo iniciativë vjen si domosdoshmëri për të adresuar, sigurinë ushqimore. Ne prej disa muajsh kemi depozituar në Kuvend këtë iniciativë, e cila adreson këtë çështje. Vlen të theksohet që kjo iniciativë është hartuar dhe mbështetur pikërisht nga profesor Edmond Panariti, ish ministër i bujqësisë, një njohës shumë i mirë i sigurisë ushqimore por edhe të veterinarisë.

Siguria ushqimore nuk është thjesht një shqetësim për qytetarët por edhe një nga kriteret kryesore që ne do duhet të plotësojmë në procesin e negociatave. Kapitulli 12 adreson pikërisht këto çështje që ne propozuam”, tha deputetja e PL-së.

Më tej, Xhixho listoi disa prej problematikave që produktet shqiptare kanë hasur në vendet e BE-së gjatë viteve të fundit.

“Ne kemi patur refuzim nga Kroacia të eksportit të specave shqiptarë, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve. Kemi pasur probleme me mandarinat e kontaminuara, të refuzuara nga BE. Kemi pasur problem me peshkun e infektuar apo kontaminimi i mishit të derrit, të pulës me salmonelë. Që është bërë një ndër problemet kryesore edhe në mediat shqiptare. Ka patur bllokim të pjeshkëve shqiptare nga Kroacia por edhe së fundmi, prania e arsenikut te buka.

Propozimi që ne kemi çuar është pikërisht në këtë kuadër. Për ti dhënë zgjidhje kësaj situate.

Ne kemi dy ligje sa i përket sigurisë ushqimore. Ligji për ushqimin dhe ligji për kontrollin zyrtar të produkteve ushqimore. Por këto kanë një boshllëk pasi në aktet normative, pas vitit 2017, është hequr kontrolli analitik për produktet ushqimore, vendase dhe të importit. Në progres-raportin e fundit të BE, të 2025-ës, iniciativa jonë adreson pikërisht këtë shqetësim të BE, thotë që nuk kemi të përputhur dhe nuk kemi të gjithë kontrollin e zinxhirit ushqimor me direktivat dhe me rregulloret e BE. Dhe çfarë themi ne? Ne themi që, të kemi analiza të detyrueshme, analitike, qoftë në laboratorë publikë apo privat por që duhet të licensohen përpara, në mënyrë që të bëjnë këto analiza. Dhe të jenë të shpejta, sikundër i bëjnë të gjitha vendet e BE. Pra, metoda të shpejta. Gjë që çfarë siguron? Prodhimi vendas të jetë më i sigurt dhe eksporti vendas të jetë absolutisht më i sigurt. Dhe të mos kemi raste si Kroacia apo vende të BE, të cilat i kanë bllokuar“, u shpreh ndër të tjera Xhixho.

INTERVISTA E PLOTË: 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›