Rrëzohet ambasadori shqiptar në SHBA

Rrëzohet në mënyrë të papritur kandidatura e Spiro Koçit si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një dokument “top secret” ka mbërritur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në zyrat e Kuvendit, ku propozon një post të ri diplomatik për Spiro Koçin, jo më në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në Vjenë, pranë Misionit të OSBE-së. Diplomacia shqiptare, për herë të dytë, po has vështirësi për emërimin e një ambasadori në vendin më të fuqishëm të botës.
Një rokadë pritet të jetë taktika e radhës që shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, Kryeministri Sali Berisha, me ndihmën e Kuvendit dhe lejen e Presidentit të bëjnë në përfaqësitë diplomatike për të gjetur brenda dy javëve emrin e kandidatit për ambasadorin tonë të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Propozimi i MetësMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, i ka dhënë një shans të dytë diplomatit të karrierës, Spiro Koçi, këtë herë si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë. Dokumenti i dorëzuar në Kuvend mban datën 2 korrik 2010 me numër protokolli 8985. Letra e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, i është dërguar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, ku i kërkon që përpara përfundimit të sesionit të dytë parlamentar të miratohet nga Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Parlamenti kandidatura e diplomatit të karrierës, Spiro Koçit, në postin e ambasadorit të Shqipërisë pranë misionit të OSBE-së në Vjenë. Në letrën e dërguar pesë ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka bërë me dije se në mbështetje të nenit 21, pika 2 të ligjit nr. 9095, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë” i ka propozuar Kryeministrit Sali Berisha emërimin e diplomatit të karrierës, Spiro Koçit, për një post tjetër diplomatik, këtë herë jo në SHBA, por në Vjenë. Kandidatura e diplomatit Koçi për ambasador të Misionit të OSBE-së në Vjenë pritet të marrë miratimin nga Komisioni për Politikën e Jashtme, dekretimin nga Presidenti Bamir Topi dhe më pas, edhe miratimin nga vendi pritës për të ushtruar funksionin e tij si diplomat.
ProceduratNë fund të muajit shkurt të këtij viti, Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme ka miratuar me shumicën e votave dhe pa rezerva kandidaturën e Koçit si ambasadorin tonë të ardhshëm në SHBA. Mësohet se edhe Presidenti Bamir Topi i ka dhënë ‘Ok’ kësaj kandidature, por ende nuk janë të qarta arsyet pse është rrëzuar kjo kandidaturë. Spiro Koçi ka kryer edhe seancën dëgjimore në fund të muajit shkurt pranë Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme dhe ka marrë pa asnjë rezervë miratimin unanim nga të gjithë anëtarët e mazhorancës. Diplomati Koçi u miratua në muajin shkurt 2010 nga Kuvendi dhe dekretua nga Presidenti Bamir Topi për të zëvendësuar Aleksandër Sallabandën, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
KarrieraDiplomati Koçi ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Beograd dhe më parë ka punuar si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Madje, në korrik të vitit 2007, emri i tij është përmendur në tryezën e negociatave të partive për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Emri i tij u propozua nga Partia Demokratike si kandidaturë konsensuale për postin e Presidentit të vendit.
#