E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i Kosovës, status ligjor si Belfasti

“EU Observer” shkruan për model të ngjashëm me Tirolin Jugor dhe Irlandën e Veriut

Bashkimi Europian është i gatshëm për bisedime rreth statusit të veçantë për veriun e Kosovës, në përpjekjet për të gjetur një kompromis përfundimtar ndërmjet Beogradit e Prishtinës, shkruan “EU Observer”, të cilin e transmetojnë mediat e Beogradit. Bisedimet rreth kësaj çështjeje do të mund të fillonin, derisa të merrte vendimin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zgjidhja e problemit në veriun e Kosovës, për të cilin angazhohen diplomatët europianë, do t’u bënte të mundur serbëve të atjeshëm një lloj statusi special, të ngjashëm me atë të aplikuar në Tirolin Jugor dhe Irlandën Veriore, por pa hapur negociatat rreth statusit ose ndarjes së Kosovës. “Autoritetet në Beograd do të duhej të demonstronin qëndrim konstruktiv ndaj Kosovës, por pa detyrimin të njohin pavarësinë”, shkruan “EU Observer”, duke theksuar se veriu i Kosovës, përkatësisht rreth 10% e territorit në veri të Ibrit, nuk do të ndahej plotësisht, ashtu siç është ndarë Republika Srpska në BeH. Megjithatë, serbët në veri të Kosovës do të gëzonin autonomi të plotë, më të madhe nga ajo e paraparë me planin që e ka hartuar ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari, kurse garantues të asaj autonomie do të ishin Prishtina dhe Beogradi. Në matematikën e komplikuar, që e kanë prezantuar diplomatët perëndimorë, Serbia nuk do të jetë e detyruar të njohë pavarësinë e Kosovës, por do të duhej të mbante qëndrim konstruktiv ndaj pjesëmarrjes së Prishtinës në organizatat rajonale, tregti... Si kundërshpërblim, Serbisë do t’i ofrohej rrugë e lehtësuar për anëtarësim në BE. “EU Observer” thekson se Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe tashmë ia kanë tërhequr vërejtjen Serbisë, se përpjekjet që të rifillojnë negociatat mbi statusin e Kosovës nuk do të hasin në përkrahje, duke propozuar që Beogradi dhe anëtarët e BE-së të hartojnë një projektrezolutë të përbashkët, pasi të publikohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës. “Pala serbe e ka hedhur poshtë këtë propozim dhe ka vendosur ta hartojë vetë projektrezolutën, të cilën në shtator do ta prezantojë para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së”, shkruan “EU Observer”, duke theksuar se anëtarët e BE-së ia kanë tërhequr vërejtjen Beogradit se “fushata në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së kundër BE-së për Kosovën do të kenë pasoja të pashmangshme për fatin e aplikimit të Serbisë për anëtarësim në BE”. Mirëpo, nëse Serbia nuk do të lobojë me agresivitet dhe të shmangë fushata të zjarrta, dhe nëse toni i rezolutës do të jetë i pranueshëm për anëtarët e BE-së, Londra, Parisi dhe Berlini janë të gatshëm që në tetor të nisin procedurën e kandidimit të Serbisë për anëtarësim në BE, përfundon shkrimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›