Beçaj: Gjyqtarët duhet të vetorganizohen
Përpjekjet e gjyqësorit për të mbledhur Konferencën Gjyqësore Kombëtare kanë dështuar prej rreth 20 muajsh, pasi ende Gjykata e Lartë, KLD-ja dhe shoqatat e gjyqtarëve kanë mendime të kundërta për të thirrur të gjithë trupën e gjyqtarëve. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e kontaktuar nga gazeta “Shqip”, deklaron se vazhdon të ketë të njëjtin mendim personal, siç edhe e ka shprehur më 5 dhjetor të vitit të kaluar, ku 1/3 e gjyqtarëve u mblodh për të diskutuar problemet e gjyqësorit. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka ftuar dy ditë më parë komunitetin e gjyqtarëve të gjejnë zgjidhje për Konferencën Gjyqësore, pasi KLD-ja po shkon drejt paralizimit, sepse pesë prej anëtarëve të saj u ka mbaruar mandati, kur edhe projektligji i Konferencës Gjyqësore ende nuk ka shkuar në qeveri e më pas në Komisionin e Ligjeve e në Kuvend. Me gjithë mendimin e kundërt të Spahiut për mbledhjen e konferencës disa muaj më parë, tashmë është parë e udhës që gjyqtarët të vendosin vetë për fatin e tyre, pasi mazhoranca dhe legjislativi ende nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje. Përpos këtyre deklaratave inkurajuese nga Beçaj dhe Spahiu, ende ka oponenca nga radhët e gjyqësorit, teksa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve mendon se më parë duhet të krijohet ligji dhe pastaj të mblidhet konferenca, sepse të gjitha vendimet mund të shpallen antikushtetuese.
Konferenca GjyqësoreGjendja aktuale e konferencës lë shumë për të dëshiruar, pasi ligji “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare” është shfuqizuar në dhjetor 2008 nga Gjykata Kushtetuese. Për pasojë, konferenca ka mbetur pa një ligj për organizimin dhe funksionimin e saj dhe rregullorja e miratuar në zbatim të tij prezumohet se ka rënë nga fuqia. Konferenca ka rreth një vit e gjysmë që nuk është mbledhur e nuk ka funksionuar, dhe si rrjedhojë nuk po ushtron kompetencën dhe detyrën e saj kushtetuese për zgjedhjen e 5 anëtarëve të KLD-së, nga të cilët dy vende kanë mbetur vakante dhe tre anëtarëve të tjerë u ka mbaruar mandati kushtetues 5-vjeçar. Këta anëtarë janë në kompetencën e zgjedhjes nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila sipas Kushtetutës duhet të plotësojë numrin 9 të anëtarëve të KLD-së, që duhet të jenë gjyqtarë të të gjitha niveleve. Në takimin e pesë dhjetorit të vitit të kaluar, diskutantët thanë se përgjegjësinë për moszbatimin e Kushtetutës e kanë të gjithë gjyqtarët e të tre niveleve të pushtetit gjyqësor shqiptar, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë Konferencën Gjyqësore Kombëtare.
Gjykata e LartëNë atë takim ka dhënë mendim personal edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, të cilit i përmbahet edhe sot, pas një prononcimi për gazetën. Ajo është e mendimit se mungesa e një ligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare nuk e ndalon vetorganizimin e mbledhjes së përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të Republikës për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Sipas saj, ka tre argumente juridike kryesore për mundësinë e thirrjes së konferencës. Së pari është pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe gjyqtarëve dhe nënshtrimi i tyre vetëm para Kushtetutës dhe ligjeve. “Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Kjo është garancia më e madhe që kemi ne si gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë për vetorganizim si pushtet i pavarur”, tha Beçaj. Së dyti, konferenca ka një përgjegjësi dhe detyrim për vetëmbledhje dhe vetorganizim më të lartë se ato që burojnë nga një ligj organik ose i zakonshëm. Dhe së treti, sipas Beçajt, konferenca është konstituuar si një organizëm vetërregullues. Kryetarja e Gjykatës së Lartë del në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese, si organi i vetëm që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, e cilëson Konferencën Gjyqësore Kombëtare si organizëm vetërregullues. Për këto arsye, mendon se Konferenca i ka të gjitha tagrat kushtetues për vetëmbledhjen dhe vetërregullimin e saj, si dhe zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së edhe në kushtet e mungesës së ligjit.
#