E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet mocioni me debat për Onkologjikun, Spahia akuzon për mungesë barnash. Ministrja Sala: Fond i dedikuar 1 miliard lekë për 2026

Në Kuvendin e Shqipërisë, opozita ka kërkuar të zhvillojë një debat për situatën e barnave në Spitalin Onkologjik, por mocioni u rrëzua nga deputetët e mazhorancës me 54 vota kundër dhe 26 pro.

Deputeti i PD, Bardh Spahia, kritikoi qeverinë për mungesë vullneti dhe sensibiliteti ndaj pacientëve dhe familjarëve që përballen çdo ditë me sfidën e sëmundjeve tumorale. Ai theksoi se për 12 vite situata në Onkologjik nuk është përmirësuar, por ka degraduar, duke munguar barnat bazë dhe pajisjet e nevojshme për trajtim.

“Ka mungesë vullneti dhe sensibiliteti për të ndihmuar pacientët dhe familjarët e tyre, që çdo ditë përballen me një luftë të vështirë për jetën në dyert e Onkologjikut. Duhet të zhvillonim një mocion me debat për një nga çështjet më urgjente që ka vendi për shëndetin dhe jetën e pacientëve me sëmundje tumorale, por shumica vendosi ta rrëzojë debatin. Për 12 vite, situata në Onkologjik nuk është përmirësuar; përkundrazi, ka degraduar. Mungojnë barnat bazë për trajtim dhe pajisjet e nevojshme”, tha Spahia.

Nga ana tjetër, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, u shpreh se problemet nuk zgjidhen me retorikë politike, por me punë dhe përkushtim për pacientët. Ajo theksoi se në buxhetin e vitit 2026 janë të dedikuara 1 miliard lekë për barnat onkologjike, një risi e rëndësishme për sistemin shëndetësor.

“Nuk dua të bëj politikë me dhimbjen e pacientëve. Sfidat ekzistojnë, por ne kemi vepruar: vetëm para tre ditësh aprovuan rialokimin e një fondi prej 200 milionë lekësh për zgjidhjen e nevojave të barnave urgjente onkologjike. Në buxhetin 2026, vetëm për barnat onkologjike ka 1 miliard lekë të dedikuar, dhe kjo është një risi. Problemet nuk zgjidhen me retorikë politike ose duke luajtur me emocionet e pacientëve, por me punë dhe përkushtim për ta, dhe ky proces nuk ka kthim pas”, tha Sala.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›