E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrisim pagat e pensionet”, Berisha: S’më duhet pushteti, kam mision të ndryshoj jetën e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi kandidatët në Dibër, duke premtuar se prioriteti i qeverisë pas 11 majit do të jetë mbrojtja e qytetarëve që sot përballen me rritjen e çmimeve dhe shtrenjtimin e jetesës.

Me një kapele me numrin 1, të ngjashme me stilin e fushatës së presidentit Trump vitin e kaluar, Berisha deklaroi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro, paga minimale do të jetë 500 euro, dhe paga mesatare 1200 euro.

“Miqtë e mi, PD do të vendosë minimumin jetik  200 euro për çdo shqiptar: për çdo pensionist që ka pension nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student, për çdo jetim”,  tha Berisha.

Ai iu përgjigj edhe kritikëve dhe kundërshtarëve politikë që e cilësojnë “të vjetër” për shkak të moshës 80-vjeçare:

“Miqtë e mi, në këtë moshë, në këto vite, në vjeshtën time të mrekullueshme, nuk më duhet pushteti. Nuk kam ambicie për para, as për luks, por kam një ambicie, kam një qëllim, kam një mision: të bëj gjithçka për të ndryshuar jetën tuaj”, u shpreh Berisha.

Berisha replikoi edhe me rivalin e tij politik, Edi Rama, i cili pak ditë më parë në Dibër i cilësoi burrat “çyryk”:

“Ti erdhe, ti fole dje si kopuk, sigurisht me ato ministreshat e tua që xhinglamingllohen në atë mënyrë. Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon”,  deklaroi kryedemokrati.

Sipas Berishës, më 11 maj qytetarët duhet të vendosin për të ardhmen e ekonomisë së tyre familjare dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›