E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në 11 maj, shumicë popullore”, Rama: Do ulemi në sofrën e përbashkët të Bashkimit Europian

Kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët të votojnë Partinë Socialiste më 11 maj, si e vetmja forcë politike që mund ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së në vitin 2030.

Gjatë një takimi në Maliq, kryesocialisti Rama theksoi se 11 maji është dita kur vendoset e ardhmja e vendit, përtej bindjeve politike të secilit.

“T’i japim një mesazh shumë të qartë dhe të fortë të gjitha vendeve të Europës, duke vjelë nga kutitë e votimit një shumicë jo thjesht aritmetike, por një shumicë popullore, e cila i thotë Europës: ‘Ne duam më në fund dhe duam tani të ulemi në sofrën e përbashkët të BE-së’,” tha Rama.

Lideri i mazhorancës vuri në dukje se janë 1 mijë punonjës të administratës që sot punojnë për mbylljen e negociatave dhe se asnjë vonesë nuk duhet të ndikojë në rrugën e anëtarësimit në BE.

“Prandaj zgjedhja e 11 majit nuk është zgjedhje midis PS-së dhe kënetës. Dhe kjo, në vetvete, është një çmenduri: të mendosh se mund të shkosh me kënetën. Sepse nuk ka asnjë dyshim për askënd që shikon me sytë e vet, dëgjon me veshët e vet, mendon me kokën e vet dhe që nuk e ka kokën të zhytur në kënetë, që qëllimi i kënetës nuk ka lidhje fare me qëllimin e madh të përbashkët të këtij populli. Kjo është një zgjedhje mes interesit të mbarë të një populli, sepse fati ka dashur që të na vijë ne në dorë kjo mundësi, dhe zgjedhje mes këtij interesi dhe hallit të një njeriu të vetëm,” shtoi Kryeministri.

Rama përsëriti rëndësinë që ka vota e grave dhe vajzave më 11 maj, duke replikuar me kundërshtarët politikë për fjalët që ai ka zgjedhur ndaj burrave:

“Dhe më pëlqen shumë, sepse ngrihen tani ata deputetët dhe bëjnë statuse: ‘Ne nuk jemi çyryk’. Si mund të thotë njeriu: ‘Unë s’jam çyryk’? Ai që thotë ‘unë s’jam çyryk’, ai vetëm çyryk është! Kështu që burrat, gjysmën e trurit e kanë me ujë, ujë kënete. Por ama, ne e kemi shumë të thjeshtë llogarinë, shumicën e grave, shumicën e të rinjve, gjysmën e burrave na mjafton ajo, dhe ne jemi yy, ku e ku,” deklaroi Rama.

Sipas kryesocialistit Edi Rama, vota e vajzave dhe grave do të bëjë diferencën më 11 maj.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›