E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten çmimet e vizitave në poliklinika

03/11/2009  Urdhri, 10 mijë lekë për vizitat te mjeku i familjes dhe 15 mijë për mjekun specialist

Paketa e shërbimeve bazë, që do të ofrohet pranë qendrave për të gjitha kategoritë

Shtrenjtohen çmimet e vizitave mjekësore. Pacientët që do t’u drejtohen poliklinikave dhe ambulancave në lagje për të marrë shërbimin e specializuar do të paguajnë dy herë më shumë sesa tarifat e mëparshme. Pagesat për vizitat tashmë do të variojnë nga 10 mijë lekë në 15 mijë lekë (të vjetra). Urdhri më i fundit i ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë ka të bëjë pikërisht me tarifat e shërbimeve që pacientët e pasiguruar duhet të derdhin pranë arkës së poliklinikave. Pavarësisht faktit se ka ardhur në rritje numri i personave që janë përfshirë në skemën e sigurimeve vitet e fundit, pohohet se është ende i lartë numri i të pasiguruarve, i cili arrin në rreth 40 për qind të popullatës. Megjithatë, synohet që me rregullat e vendosura së fundi të shkohet drejt zgjerimit të kësaj skeme.

Tarifat

Urdhri përcakton se për kryerjen e një vizite te mjeku i familjes pacientit do t’i duhet të paguajë rreth 10 mijë lekë, ndërsa për vizitat dhe ekzaminimet te mjeku specialist pagesa do të jetë 15 mijë lekë. Këtu bëhet fjalë gjithmonë për pacientët e pasiguruar (këto tarifa më parë ishin në vlerën 4 mijë lekë). Personat që bëjnë pjesë në skemën e sigurimeve do të përfitojnë falas të gjitha shërbimet që ofron paketa bazë, ndërsa për ekzaminimet e shtrenjta do të paguajnë vetëm 10 për qind të kostos reale. Rritja e këtyre çmimeve nga ato të mëparshmet synon që popullata të ndërgjegjësohet për të mirat që vijnë nga skema e sigurimeve, por nga ana tjetër të vërë dhe një rregull në respektimin e hallkave se ku duhet kaluar për të marrë trajtimet.

Referimi

Përveç rritjes së çmimeve të vizitave pacientët tashmë e kanë të detyruar që t’i drejtohen më parë shërbimit parësor, ose, siç njihet ndryshe, mjekut të familjes dhe vetëm më pas do të lejohen të kalojnë në spital. Pak ditë më parë kreu i dikasterit të shëndetësisë ka urdhëruar të gjithë drejtuesit e spitaleve që të mos pranojnë për vizë asnjë pacient që nuk ka rekomandimin e mjekut të familjes. Për rastet kur ky urdhër nuk do të zbatohet, do të ketë ndëshkime të forta jo vetëm mbi pacientin, i cili nuk do të lejohet të marrë shërbimin, por edhe mjekut abuzues do t’i duhet të lërë vendin e punës. Zbatimi i sistemit të referimit pritet të shmangë dyndjen e popullatës, veçanërisht atyre të rretheve, drejt qendrës spitalore “Nënë Tereza”, qoftë edhe për vizitat më të thjeshta. Shpeshherë për shkak të këtij mbipopullimi krijohej kaos dhe probleme të tjera në urgjencat dhe pavijonet e spitaleve, çka sjell dhe ofrimin e shërbimeve me cilësi të dobët.

Paketa e shërbimeve bazë do të ofrohet falas për të gjithë pacientët që tashmë janë të siguruar. Përveç kujdesit shëndetësor për fëmijët, të rriturit, për gratë dhe shëndetin riprodhues, për të moshuarit, për problemet mendore, kjo paketë do të përfshijë edhe kujdesin e urgjencës, për të cilën çdo qendër do të ketë 68 lloje barnash dhe materialesh e konsumi.

Skema ofron shërbimin falas te mjeku i përgjithshëm, tek i familjes si dhe ai specialist. Ndërkohë ofrohet falas edhe shërbimi në shtëpi e spital, ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike si dhe ekzaminimet e shtrenjta, nën rimbursim 90 për qind. Falas jepen barnat e riumbursimit për fëmijë 0-12-muajsh, invalidët, pensionistët, veteranët me sëmundje kronike.

Barnat falas do jenë edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, skleroze multiple, talasemia “Major”. Barna me rimbursim të pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50 për qind. Lista e barnave dhe përqindja e rimbursimit të çdo ilaçi tashmë është vënë në dispozicion të çdo farmacie në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›