Venezuela akuzon Facebook: Kompani mbikombëtare që mbështet “totalitarizmin dixhital”

Qeveria e Venezuelës kritikoi ashpër rrjetin social Facebook, pasi pezulloi llogarinë e presidentit Nicolas Maduro për 30 ditë për “shkelje të përsëritura” të politikave kundër përhapjes së dezinformatave mbi COVID-19.
Në një njoftim, Ministria e Informacionit e Venezuelës mohoi çdo fushatë dezinformuese nga presidenti, duke argumentuar se ai po promovon vetëm “përmbajtje drejt luftimit të pandemisë”.
Ministria deklaroi se veprimet e Facebook-ut janë pjesë e “totalitarizmit dixhital” të tyre kundër shteteve sovrane. “Ne jemi dëshmitarë të një totalitarizmi dixhital të ushtruar nga kompani mbikombëtare që duan të imponojnë ligjin e tyre në vendet e botës”, theksoi ajo.
Facebook po ashtu hoqi një video nga faqja e Maduro-s në të cilën ai promovoi një ilaç të quajtur Carvativir. Maduro argumenton se ilaçi mund të kurojë dhe parandalojë virusin.
Facebook argumentoi se deklarata e Maduro-s në lidhje me ilaçin nuk mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas Universitetit “Johns Hopkins” me bazë në SHBA, Venezuela ka regjistruar 155 mijë raste të konfirmuara të koronavirusit, përfshirë 1.555 vdekje dhe mbi 144 mijë të shëruar.