E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten rezervimet në bujtinat e qytetit, Libohova tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë këtë pranverë

Me ardhjen e pranverës, Bashkia e Libohovës ka njohur një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve. Qyteti po tërheq gjithnjë e më shumë turistë që kërkojnë qetësi, traditë dhe eksperienca autentike.

Administratorët e bujtinave në qytet shprehen se rezervimet kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe. Sipas tyre, kërkesat për akomodim kanë tejkaluar pritshmëritë fillestare, duke krijuar një atmosferë optimizmi për sezonin turistik. Ata presin që ky vit të jetë edhe më i suksesshëm se ai i kaluar. 

Administratori Agush Hide u shpreh për RTSH se, “Ka disa ditë që kanë filluar rezervimet për sezonin e pranverës dhe verës. Deri tani kemi marrë rezervimet e para dhe presim edhe njoftime të tjera. Themi se do jetë sezoni i mirë dhe i mbarë. Kemi filluar me një restaurim të ambienteve të brendshme dhe të jashtme që turistët të shikojnë diçka më ndryshe nga sezonet e mëparshme.” 

Rritja e frekuentimit konfirmohet edhe nga specialisti i turizmit, Arjan Cano, i cili thekson se Libohova po vizitohet jo vetëm nga turistë të huaj, por edhe nga ata vendas. Sipas tij, kjo tregon një ndërgjegjësim në rritje për vlerat që ofron zona dhe potencialin e saj për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. 

“Po presim që sezoni të vijë i mbarë. Me sa po shohim deri tani trendin që po rritet dita ditës dhe në Bashkinë Libohovë kanë filluar rezervimet për këtë sezon.” 

Prania në rritje e vizitorëve në Libohovë këtë sezon pranveror është një sinjal i qartë i potencialit që ka zona për turizmin. Ky trend pozitiv jo vetëm që sjell më shumë gjallëri në qytet, por edhe nxit zhvillimin e bizneseve lokale, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për rritje dhe promovim më të gjerë. 

Gazetare: B. Pëllumbi     

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›