Rriten rrogat e mjekëve specialistë/ Rama: Do marrin 50 mijë lekë mbi pagën aktuale

Mjekët specialistë janë punonjësit e radhës, të cilëve qeveria do t’u rrisë pagën.
Nga prilli, ata do të marrin 50 mijë lekë më shumë, mbi pagën që marrin deri më tani. Rritjen e të ardhurave mujore për 2500 bluza të bardha, kryeministri Edi Rama e komunikoi gjatë zhvillimit të kongresit të parë të shëndetësisë.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Jo në 1 prill por në 30 prill, mjekët specialistë do të fillojnë të marrin 50 mijë lëkë të reja plus në pagën e tyre. Ne me pagën e mjekëve specialistë ngjitemi lart me pagat e rajonit dhe faktikisht barazohemi me Serbinë.
Edi Rama u tha bluzave të bardha, se qeveria i qëndron premtimit për të rritur me 7 për qind pagat e mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve, deri në mbyllje të mandatit të tretë qeverisës. Paralelisht me këtë, qeveria është në diskutim për një rritje të dytë të pagave të tyre, të ngjashme me atë të mjekëve specialistë vitin e ardhshëm.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Edhe mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëvë ju them se ne po përgatisim rritje propocionale me këtë të mjekëve specialistë dhe besoj shumë që në hyrje të 2024-ës do të kemi edhe për mjekët e përgjithshëm edhe për infermierët një rritje të ngjashme.
Rritja e pagave të mjekëve specialistë, vjen pas ushtarakëve me 7 për qind dhe asaj minimale në 40 mijë lekë. Nga qeveria është mohuar se këto vendimmarrje bëhen për qëllime elektorale, me argumentin se janë angazhime për të çuar nivelin e pagave në Shqipëri të njëjtë me ato në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.