E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten temperaturat, zogjtë nuk shtegtojnë më

Bën ngrohtë, gjithnjë e më shumë ngrohtë dhe shpendët shtegtarë vonojnë nisjen e tyre. Patat, rosat dhe mjellmat, që në të shkuarën shtegtonin në vjeshtë dhe linin vendet e ftohta si Finlanda për të përballur dimrin në zonat me lagështi të Europës Veriore, po ndërrojnë zakonet e tyre.

Temperaturat po rriten, uji është më pak i ftohtë dhe shpendët preferojnë të rrinë të qeta në shtëpitë e tyre. Këtë e tregon studimi i Universitetit të Helsinkit, i sapo publikuar në "Journal of Ornithology".

Duke studiuar shtegtimet e disa lloj shpendëve ujorë, shkencëtarët kanë treguar se fillojnë shumë me vonesë: egzaktësisht një muaj më pas në krahasim me 30 vjet më parë. Shpendët e braktisin Finlandën kur vjeshta tashmë ka përparuar dhe shpesh nuk arrijnë liqenet e vendeve fqinjë që më përpara ishin një ndalesë e zakonshme për ta.
Kështu në pak kohë në Mbretërinë e Bashkuar numri i këtyre shpendëve që fëmijët admironin dhe ushqenin ka rënë ndjeshëm.

Të dhënat. Për të arritur këtë përfundim, studiuesit e Universitetit të Helsinkit kanë ekzaminuar 30 vjet shtegtime, duke përpunuar të dhënat e Observatorit kombëtar për shpendët, ne Finlandën e Jugut. Prej 1979 vullnetarët kanë numëruar zhvendosjet e kafshëve për të përditësuar të dhënat me përpikmëri.

Aleski Lehikoinen i Universitetit të Helsinkit, shpjegon - ”Është zbuluar se në 30 vjet disa specie e kanë vonuar me një muaj nisjen e shtegtimit. 6 lloje në 15, kanë vonuar udhëtimin. Studimi tregon atë çka ka nxjerrë në dritë edhe kërkimet të tjera, temperatura e ujit rritet më shpejt se ajo e ajrit. Kjo do të thotë që shpendët kanë më shumë ushqim në dispozicion edhe në vendet e Veriut”.

Natyra që ndryshon. Klima dhe stinët pësojnë ndryshime të rëndësishme. Kafshët që lenë Skandinavinë, Rusinë dhe Siberinë janë shpendë që nuk bëjnë udhëtime të gjata. Zakonisht Mbretëria e Bashkuar ishte destinacioni i fundit i këtij udhëtimi. Tani disa specie nuk mbërrijnë më deri aty, ndalojnë më përpara.

Në Mbretërinë e Bashkuar janë bërë shumë studime për të kuptuar shtegtimet e këtyre zogjve. Kështu është zbuluar se në 10 vjetët e fundit, disa specie patash të bardha janë pakësuar me 75 %. Kjo rënie e popullsisë ka të bëjë me habitatin e tyre të origjinës, bën më pak ftohtë se në të kaluarën. Nga pikëpamja e ekosistemit bëhet fjalë për një revolucion. Natyra ndryshon.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›