E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet bilanci i viktimave, por junta nuk dorëzohet

Junta ushtarake, përmes radios shtetërore birmaneze, po rifreskon shifrat e viktimave të ciklonit Nargis, që tani sipas saj, janë 34273 të vdekur dhe 27836 të zhdukur. Shifra që rriten ditë pas dite: bilanci i mëparshëm zyrtar ishte 31.938 të vdekur dhe 29.770 të plagosur. Por sërish, këto shifra janë larg atyre të përllogaritura nga Kombet e Bashkuara, të cilat që prej ditëve të para kanë folur për një numër të vdekurish dhe të zhdukurish që mund të shkojë nga 60 mijë në 100 mijë. Prej tyre, të paktën 40 për qind, sipas "Save the Children", janë fëmijë, pasi edhe 40 për qind e popullatës birmaneze janë të moshës nën 18 vjeç. Organizata tërheq vëmendjen edhe mbi faktin se mijëra fëmijë kanë mbetur jetimë, të vetëm dhe të traumatizuar, pas vdekjes së prindërve të tyre. Situata në vendin e goditur në ditët e shkuara edhe nga shira të furishëm, mbetet vështirësisht e deshifrueshme. Ndihmat e huaja ndërkohë depërtojnë me pikatore dhe mes mijëra vështirësish aq sa OKB apelon për lejimin e një operacioni gjigant emergjence, duke paralajmëruar se në rast të kundërt, një katastrofë e dytë, do të jetë e paevitueshme. Fjalë që i merr era për juntën që pasi ka fituar siç parashikohej, referendumin e kryer në ditët e kataklizmës, vazhdon me të njëjtën sjellje jokonstruktive edhe pse ka lejuar një lloj hapjeje ndaj OJQ-ve ndërkombëtare. Do të provojë ndërkohë të bindë gjeneralët për një hapje më të madhe edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Ndihmat Humanitare, Luis Mishel, që u nis dje drejt Birmanisë për të arritur një marrëveshje për hyrjen e ndihmave humanitare dhe operatorëve të këtyre ndihmave. "Qindra e mijëra jetë njerëzore", ka deklaruar ai, "janë në rrezik dhe një operacion i madh ndërkombëtar është akoma i nevojshëm në deltën e Irravadit: katastrofa të këtyre përmasave janë çështje e solidaritetit botëror dhe Birmania duhet të lejojë eksperiencën në këtë fushë të komunitetit ndërkombëtar". Puna e organizatave të ndihmave, është e pavarur dhe e paanshme ndaj për këtë motiv duhen lejuar ekspertët të shkojnë në zonat e goditura për të punuar bashkë me autoritetet lokale, në ndihmë të viktimave". Komisioneri evropian për ndihmat u nis drejt Birmanisë menjëherë pas takimit të ministrave të BE-së në Bruksel, mbledhje që siç ka shpjeguar zëdhënësi i tij, kishte si objektiv kryesor garantimin e mbështetjes së plotë për këtë mision nga 27 vendet anëtare. Përfaqësuesi i ekzekutivit komunitar, gjithsesi, nuk ka marrë akoma dritën jeshile të autoriteteve birmaneze dhe logjistika është akoma në fazë përgatitore. Të gjitha iniciativat e ndihmës deri më tani, janë penguar nga ushtarakët birmanezë, dhe kundër tyre, nënsekretari spanjoll për çështjet evropiane, Diego Lopez Garrido, ka propozuar edhe ngritjen e një akuze për krime kundër njerëzimit në rast se junta do të vazhdojë të bllokojë arritjen dhe shpërndarjen e ndihmave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›