Kina shkatërrohet nga tërmeti mijëra të vdekur dhe të varrosur nën rrënoja
Një operacion gjigant kërkimi dhe shpëtimi ka nisur në Kinën Jugperëndimore pas një prej tërmeteve më të fuqishme në dekada të tëra. Trupat e ushtrisë kanë mbërritur në provincën Uenchuan, në epiqendër të tërmetit, që deri më tani ka qenë krejtësisht e izoluar, por shiu i rrëmbyeshëm po pengon operacionet e shpëtimit. Në provincën Sichuan, ndërkohë po bëhen përpjekje frenetike për të nxjerrë me mijëra njerëz nga rrënojat. Shifra e të vdekurve është deri më tani më shumë se 12 mijë, thonë zyrtarët dhe është e predispozuar të rritet më tej. Në një qytet, Mianjang, në afërsi të epiqendrës së tërmetit, më shumë se 19 mijë njerëz mund të jenë të varrosur nën rrënoja dhe 3629 janë konfirmuar të vdekur, raporton agjencia e lajmeve "Xinhua". Në qytetin e afërt, Mianzhu, të paktën 4800 persona janë bllokuar nën rrënoja, ndërsa rrëshqitjet masive të dheut kanë mbuluar rrugë dhe fshatra të tërë. Kryeministri Uen Xiabao, ka vizituar menjëherë skenën dhe u ka kërkuar skuadrave të shpëtimit që të pastrojnë rrugët në zonat më të goditura, sa më shpejt që të jetë e mundur. "Për sa kohë që ka pak shpresë, ne nuk do t‘i ndalim përpjekjet tona, do t‘i shumëfishojmë ato dhe nuk do të dorëzohemi asnjëherë", tha ai para banorëve me sytë e mbushur në lot në qytetin Dujiangian, në juglindje të epiqendrës. Ministria e Shëndetësisë ka bërë një apel për të dhuruar gjak për të plagosurit e shumtë. Korrespondentët në Kinë flasin për skena kaosi në Dujiangian, me të mbijetuarit e tronditur nëpër rrugë, të veshur me pizhame, ndërkohë që policia përpiqet të rregullojë trafikun. Kishte edhe nga ata njerëz që kishin mundur të bisedonin me të afërmit e tyre të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të shembura dhe të dëshpëruar thërrisnin për ndihmë. Paniku është i madh dhe ngado ndihet frika e tmerrit. Ndërkohë, lëkundje të tjera sizmike janë regjistruar rregullisht dhe ka zëra për të tjera tërmete të forta, çka ka bërë që njerëzit të vërshojnë nëpër rrugë, duke tërhequr pas vetes çanta me rroba e ushqime. Tërmeti që sipas vlerësimeve të fundit, ishte i manjitudës 7.9 ballë i shkallës Rihter, siç është deklaruar më herët, është dëgjuar në Pekin e madje edhe deri në kryeqytetin tajlandez, Bangkok. Shkëmbinj, gurë dhe masa të mëdha dheu kanë bllokuar rrugët në zonat më të goditura dhe helikopterët nuk kanë mundur të zbresin në tokë për shkak të motit të keq. Pekini ka dërguar 50 mijë trupa për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Rreth 1300 pjesëtarë të skuadrave të shpëtimit dhe mjekë kanë mbërritur në provincën Uenchuan dhe menjëherë kanë filluar kërkimet për të mbijetuar dhe po japin ndihmën e parë për të lënduarit. Por ndërkohë, nuk ka ende asnjë shifër të viktimave në këtë zonë ku jetojnë rreth 100 mijë njerëz. Kishte edhe raporte drithëruese nga skena e shembjes së një shkolle në qytetin Dujianian, ku 900 studentë janë bllokuar nën rrënoja dhe të paktën 50 prej tyre janë vrarë. Adoleshentët e mbërthyer nën rrënojat e shkollës, përpiqeshin të dilnin nga ajo katrahurë, ndërsa shumë të tjerë thërrisnin dëshpërimisht për ndihmë. Më shumë se 100 njerëz mendohet se janë varrosur nën rrënojat e një spitali që u shemb. Të afërmit kanë pritur pranë portave pa pushim, por skuadrat e shpëtimit mundën në nxirrnin që andej vetëm një trup. Në provincën Beichuan, rreth 80 për qind të ndërtesave mësohet se janë shkatërruar. Ndërkohë, qindra njerëz mësohet se janë varrosur nën dy impiantet kimike të shembura në Shifang dhe Sichuan. Më shumë se 150 njerëz janë vrarë në provincat Gansu dhe Shaanxi. Ndërkohë që ka shqetësime edhe për turistët e huaj që janë gjendur në Kinë. Një grup prej 19 turistësh britanikë rezulton i zhdukur, ndërkohë që është rrezikuar edhe një numër i madh pandash gjigante në një qendër kërkimesh në Volong dhe Uenchuan.