Diga e Tri Grykave, një ndër shkaqet
Pas asaj që po ravijëzohet si katastrofa më e madhe natyrore në historinë e Kinës moderne, drejtuesit e partisë janë mobilizuar me një intensitet të madh, të paprecedentë. Jo vetëm për faktin se situata është e rëndë dhe e kërkonte një reagim të tillë, por edhe për t‘i shpëtuar akuzës se është viktimë e "sindromës birmaneze". Me fjalë të tjera, Pekini nuk do të identifikohet me mungesën e dukshme të efikasitetit të juntës në Rangoon, e paaftë të reagojë ndaj katastrofës së shkaktuar nga cikloni "Nargis". Më pak se dy orë pas lëkundjes së parë prej 7.8 ballësh të shkallës Rihter, me epiqendër në provincën Uenchuan, Kryeministri Uen Xhiabao u nis në fluturim drejt zonave të katastrofës dhe Presidenti Hu Xhintao, i kërkonte popullatës dhe funksionarëve të hidhen në ndihmë. E pas pak minutash nga lëkundja e parë, interneti kinez, televizioni e agjencitë ishin mbushur me lajme edhe pse të pjesshme dhe të fragmentarizuara. Gjithë ky mobilizim, shpjegohet edhe me vullnetin për të hedhur pas një fantazmë të frikshme të së shkuarës: në 1976-ën, një tërmet rrafshoi qytetin e Tangshanit, rreth 200 kilometra larg Pekinit. Atëherë ndihmat mbërritën me vonesë, lajmet u filtruan dhe vetëm tani vonë u mor vesh se të vdekurit ishin rreth 300 mijë. Por, sot, diplomatët perëndimorë, dyshojnë që një prej shkaqeve të tërmetit mund të jetë edhe diga e jashtëzakonshme e Tri Grykave, e ndërtuar kundër mendimit të shumë ekspertëve të huaj. Sipas ekspertëve në fakt, intensiteti i lëkundjeve mund të jetë shkaktuar apo përkeqësuar nga pesha e jashtëzakonshme e miliona tonelatave ujë që rëndojnë në luginën ku ndërthuren malet dhe lumi Jance. Pas digës gjigante, në fakt, gjendet një rezervuar hidrik i gjatë 520 kilometra, i gjerë dy kilometra dhe i thellë mbi 100 metra, e që mbërrin deri pranë rajonit të goditur nga tërmeti Sichuan. Bëhet fjalë në thelb për mbi 100 miliardë tonelata ujë që mund të kenë prekur shtresat e brishta të nëntokës. Për momentin kjo është vetëm një hipotezë, por ka të gjitha shanset për të rindezur debatet për digën gjigante.