Rritet gadishmëria në Korenë e Jugut
Ka shqetësim në rritje në Azinë Verilindore se Koreja e Veriut është gati të kryejë një tjetër qitjes provokuese me raketa.
Forcat e Koresë së Jugut dhe forcat amerikane në atë vend thuhet se ndodhen në gatishmëri numër 2, vetëm një nivel më poshtë se në kohë lufte.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut është duke i referuar pyetjet e gazetarëve në lidhje me nivelin e gatishmërisë komandës së OKB-së, e udhëhequr nga SHBA, e cila thotë se nuk dëshiron të komentojë në lidhje me kushtet e sigurisë.
Ndryshimi i gjendjes së gatishmërisë hyn në fuqi kur ka tregues të një kërcënimi jetik.
Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, thotë se ndryshimi hyri në fuqi sot, të mërkurën.
Një oficer i lartë i ushtrisë amerikane, admirali Samuel Locklear, ka konfirmuar përpara Komisionit të Senatit të Forcat e Armatosura se të paktën një raketë balistike është zhvendosur në bregun lindor të Koresë së Veriut.
Raketa, e cilat mund të ketë një rreze veprimi deri në 5 mijë kilometra, është e njohur si Musudan dhe asnjëherë nuk është provuar.
Admirali Locklear, i cili kryeson Komandën në Paqësor, tha se ushtria amerikane është në gjendje për të interceptuar një raketë balistike të hedhur nga Koreja e Veriut që do të kërcënonte bazat amerikane apo ndonjë nga aleatët e Amerikës në Paqësor, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Kryetari i Komisionit, Senatori Carl Levin, i kërkoi admiralit Locklear hollësi rreth një plani të ri të përbashkët me Korenë e Jugut kundër provokimit koreanoverior.
Admirali tha se ishte në mëdyshje për të dëshmuar hapur.
“Unë jam përkrahës i planit dhe mendoj se është një plan i mirë.”
Pavarësisht tensioneve në rritje në gadishull, gjendja mbetet e qetë në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, dhe zonat metropolitane, ku jetojnë më shumë se 20 milion njerëz – gati gjysma e popullsisë së vendit.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se nuk është duke i këshilluar shtetasit amerikanë të largohen, as nuk ka ndonjë arsye për të shmangur vizitën në Korenë e Jugut.
Koreja e Veriut të hënën u sugjeroi të huajve në jug se duhet të largohen, sepse lufta mund të shpërthejë në çdo kohë.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut thotë se përpjekja e Phenianit për të krijuar frikë në mesin e të huajve do të dështojë dhe kjo është thjesht luftë psikologjike.