Iran, tërmeti nuk ka prekur centralin bërthamor
Centrali bërthamor në krahinën Bushehr, që u godit të martën nga një tërmet i fuqishëm, ka shpëtuar nga çfarëdo dëmtimi, pohojnë zyrtarët iranian.
Sipas të dhënave të fundit të republikës islamike, numri i viktimave ka shkuar në 37 viktima kurse afro 850 të tjerë janë plagosur nga tërmeti prej 6.3 ballë, që shkatërroi disa vendbanime në zonën Dashti.
Guvernatori i krahinës ka thënë se centrali bërthamor, i ndërtuar me ndihmën e Rusisë, është i padëmtuar.
Agjencia Bërthamore e Kombeve të Bashkuara konfirmoi se është informuar nga autoritetet iraniane se nuk ka rrjedhje radioaktive nga centrali në Bushehr.
Autoritetet iraniane kishin lajmëruar se tërmeti ishte 6.1 ballë i shkallës rihter, kurse agjencitë globale të mbikëqyrjes gjeologjike pohojnë se tërmeti i së martës ishte 6.3 ballë.