Rritet ndjeshëm popullariteti i Obamas

Sipas një ankete të Qendrës Kërkimore Pew të publikuar nga gazeta Uashington Post, mbështetja publike për presidentin Barack Obama është rritur 9 për qind pas operacionit ku u vra kreu i al Kaidës Osama bin Laden. Mbështetja për presidentin tani është 56% nga 47 % që ishte muajin e kaluar sipas të njëjtës organizatë anketuese. Analistët thonë se ndërsa zoti Obama përgatitet të garojë për t`u rizgjedhur vitin e ardhshëm, mbetet për t`u parë se sa mund ta ndihmojë atë politikisht eliminimi i bin Ladenit. Ishte një moment me një dramacitet të pashembullt gjatë presidencës së presidentit Barack Obama.
“Mirëmbërma! Sot mund të njoftoj popullin amerikan dhe botën se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion ku u vra Osama Bin Laden, kreu i al Kaidës”.
Njoftimi u shoqërua me festime dhe shprehje të shumta të krenarisë kombëtare, përpara Shtëpisë së Bardhë, në Kuotën Zero në Nju Jork dhe kudo në vend.
Republikanët iu bashkuan demokratëve për të përgëzuar presidentin dhe forcat speciale Seals të cilat realizuan misionin. Mes atyre që vlerësuan këtë moment ishte dhe Dik Çeni dhe shumë të tjerë që shpesh janë kritikë ndaj zotit Obama.