Rritet nr. i partive, KQZ ndryshon fletën e votimit
TIRANE- Përfshirja e një numri të madh subjektesh politike në koalicionet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka nxitur Komisionin Qendror Zgjedhor që të ndryshojë përmasat e fletës së votimit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani në mbyllje të mbledhjes së djeshme, bëri të ditur se ky institucion e sheh të nevojshme që me shtimin e numrit të partive politike në zgjedhjet e 28 qershorit, duhet të rimerret në shqyrtim vendimi për përmasat e fletës së votimit. “Duhet të rishqyrtojmë formatet e fletës së votimit, për shkak të numrit të madh të subjekteve zgjedhore”, - tha Ristani, duke paralajmëruar një mbledhje për këtë qëllim ditën e sotme.
Vendimi i KQZ-së i datës 5 mars 2009, parashikon që fleta e votimit të ketë gjerësi 300 milimetra dhe gjatësi 420 milimetra. Zgjedhësit do të votojnë në një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Sasia e tyre është e barabartë me numrin e zgjedhësve, plus 2 %.
Sipas vendimit të KQZ-së, fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla, që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie. Në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, zgjedhësit votonin në dy fletë votimi; në njërën për kandidatin dhe në tjetrën për partinë politike ose koalicionin. Në të dy rastet, përmasat e fletës së votimit kanë pasur një gjerësi pre 210 milimetrash, nga 300 mm që është miratuar për zgjedhjet e 2009-s. Për zgjedhjet politike të 28 qershorit, në KQZ janë regjistruar 36 subjekte zgjedhore, që janë grupuar në katër koalicione, përkatësisht: “Aleanca e ndryshimit”, “Bashkimi për ndryshim”, “Aleanca Socialiste për Integrim” dhe “Poli i lirisë”.
(s.g/BalkanWeb)