SIRI – Disa të vdekur nga përmbytjet në lumin Eufrat

DAMASK, 29 maj /ATSH-DPA/- Të paktën pesë persona kanë humbur jetën në Siri, si pasojë e përmbytjeve të rënda, të shkaktuara nga rritja e nivelit të ujit në lumin Eufrat, ndërsa mijëra banorë janë zhvendosur nga zonat e prekura.
Zyrtarët lokalë njoftuan sot se, katër fëmijë humbën jetën në provincën Deir ez-Zor pasi u morën nga rrjedha e fuqishme e lumit Eufrat.
Një tjetër person u mbyt në provincën fqinje të Rakas, raportuan autoritetet.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, mijëra persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa organizata paralajmëroi për përkeqësim të krizës humanitare në rajon.
Autoritetet siriane raportuan se rreth 24,000 hektarë tokë bujqësore, 265 ndërtesa shtetërore dhe afro 60 objekte civile janë dëmtuar në provincën Deir ez-Zor.
Përmbytjet janë pasojë e reshjeve jashtëzakonisht të dendura gjatë javëve dhe muajve të fundit në rajon, përfshirë edhe Turqinë fqinje.
Për shkak të niveleve tepër të larta të ujit në digat e rajonit, veçanërisht në digën Ataturk, autoritetet turke u detyruan të shkarkonin sasi të mëdha uji, në drejtim të rrjedhës së poshtme të lumit, në mënyrë të kontrolluar.
Për të shmangur mbingarkesën e infrastrukturës së tyre, operatorët sirianë hapën gjithashtu digat kryesore në nivele rekord, duke sjellë rritje të menjëhershme të nivelit të ujit dhe përmbytjen e zonave të gjera, përgjatë brigjeve të lumit.
Ministri sirian i Energjisë, Mohammad al-Bashir, akuzoi Turqinë se i kishte paralajmëruar me vonesë autoritetet siriane për rritjen e nivelit të ujit në lumin Eufrat.
Ndërkohë, presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, vizitoi zonat e prekura për të vlerësuar dëmet dhe nevojat humanitare, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Drejtori i Përgjithshëm i Digës së Eufratit, Haitham Bakur, deklaroi se niveli i ujit pritet të bjerë brenda dy ditësh, pasi Turqia ka mbyllur tashmë portat shkarkuese të digave. //a.i/