GREQI – Masa të ashpra ndaj migracionit, pas mbërritjes së qindra emigrantëve në Kretë

ATHINË, 29 maj /ATSH-DPA/- Qeveria greke ka njoftuar një forcim të ndjeshëm të politikës së saj ndaj migracionit, në përgjigje të rritjes së numrit të emigrantëve që po mbërrijnë në ishullin e Kretës.
Ministri i Migracionit, Thanos Plevris deklaroi sot në parlament se, nëse situata vazhdon me të njëjtin ritëm si një ditë më parë – ku mbi 600 persona mbërritën në Kretë – qeveria do të ndërmarrë “masa shumë të ashpra”.
Sipas tij, janë planifikuar qendra të sigurta pritjeje në Hania dhe Heraklion, ku emigrantët do të strehohen deri në përfundimin e vlerësimit të statusit të tyre.
Me hyrjen në fuqi të “Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin”, më 12 qershor, synohet që në të ardhmen të bëhet më shpejt dallimi mes personave që kanë të drejtë për mbrojtje dhe atyre që nuk kanë perspektivë për azil.
Plevris theksoi se procedurat dhe deportimet e mundshme pritet të përfundojnë brenda pak javësh.
Ministri grek nënvizoi se Greqia nuk dëshiron të përjetojë sërish situata si ato të viteve 2015 dhe 2016, kur qindra mijëra emigrantë nga Siria, Iraku dhe Afganistani hynë në Evropë përmes Turqisë dhe rrugës ballkanike.
Aktualisht, presioni më i madh migrator po regjistrohet në itinerarin nga Libia drejt Kretës, ku shumica e emigrantëve vijnë nga Bangladeshi dhe Egjipti.
Burime nga roja bregdetare greke bëjnë të ditur se dhjetëra varka nga Libia janë nisur drejt Kretës.
Plevris deklaroi së fundmi, se më shumë se gjysmë milioni persona ndodhen aktualisht në Libi, në pritje për të kaluar drejt Evropës. //a.i/