E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i ndërmarrjeve të falimentuara në Maqedoni

Shkup, 28 gusht- Në Maqedoni gjithnjë e më shumë falimentojnë kompanitë ndërkaq paralelisht me këtë bie përqindja e firmave të reja të regjistruara. Banka Popullore e Maqedonisë (BPM) evidentoi numër të madh të falimentuesve të dhëna të cilat dolën nga vetë Regjistri Qendror. Raporti i BPM-së për stabilitet financiar në Maqedoni për vitin 2009 tregon se numri i ndërmarrjeve në falimentim është rritur për 30,7 për qind, që nënkupton se gjatë vitit 2009 në falimentim i kemi rreth 2.270 ndërmarrje, 533 më shumë sesa gjatë vitit 2008.
Ndërsa numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara është zvogëluar për 20,7 për qind gjatë vitit 2009, ndërkohë që rënia gjatë vitit 2008 ishte vetëm për 5 për qind.
“Numri i përgjithshëm i ndërmarjeve për vitin 2009 është rritur për 3,4 për qind, kurse në vitin 2008 ka pasur një rritje prej 46 për qind. Kjo do të thotë se kemi një zvogëlim dramatik në rritjen e numrit të ndërmarrjeve”, tha Petar Goshev, guvernator i Bankës Popullore.
Të dhënat nga raporti tregojnë rritje prej 6,3 për qind të numrit të ndërmarrjeve me llogari të bllokuara në krahasim me vitin 2008 dhe rritje të numrit të firmave mbi të cilat është hapur procedurë falimentuese. Kështu gjatë vitit 2009 përqindja prej 18,1 për qind është për ndërmarrjet që kanë llogari të bllokuara, kurse gjatë vitit 2008 bëhej fjalë për 11,8 për qind. Ndërsa kemi edhe ndërmarrje që kanë llogari të bllokuara por që për to është hapur procedurë falimentuese, që kategorisë së tillë për vitin 2009 i takojnë 1,8 për qind dhe gjatë vitit 2008 i takuan rreth 1,4 për qind.
Nga ministria e Ekonomisë njoftojnë se ata si ministri i ndjekin vetëm falimentuesit aktiv gjatë tërë vitit, përderisa regjistri qendror udhëheq se sa firma hapen dhe sa mbyllen.
“Sipas të dhënave të regjistruara në regjistrin qendror në vitin 2008 kishte 63.000 firma aktive, në vitin 2009 ka 70.000 firma aktive dhe në këtë periudhë të dhëna të fundit janë se ka 80.000 firma aktive”, thanë në këtë ministri.
Borxhi i përgjithshëm në fund të vitit 2009 që kanë hyrë subjektet juridike është 241,8 miliardë denarë ose afër katër miliardë euro nga të cilat 1,7 miliardë euro firmat ua kanë borxh bankave, kurse 2,2 miliardë euro ngelin për obligimet tjera.
Nga BPM njoftoi se sistemi financiar në vitin 2009 ngeli stabil dhe përkrah ndikimeve negative nga kriza globale përderisa rezultatet nga stres testimi tregojnë së sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe posedon kapital të bollshëm për mbulim të rreziqeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›