E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen në Ohër shtatë persona për vrasjen e serbit Novakoviq

Ohër, 28 gusht- Shtatë të rinjë nga Ohri pasditën e të shtunës me furgonë policor janë marrë në pyetje para Gjykatës së Ohrit nga ana e gjykatësit hetues, në procedurën që nisi lidhur me rastin e vrasjes, një ditë më parë ndaj tursitit serb Dejan Novakoviq. Të gjithë personat e prangosur, janë nga Ohri dhe janë nga mosha 25 deri në 35 vjeç, ndërsa shtetasi serb ndaj të cilit gjithashtu është ngritur padi penale, për momentin është i pakapshëm dhe gjendet në arrati. Paralelisht policia ka filluar ekzaminimin e veshjes dhe të ADN-së nga 5 persona për të zbuluar vrasësin e shtetasit serb. Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), njoftojnë se njëri nga të dyshuarit me qëllim që t’i ndihmojë personave që kanë marrë pjesë në incident, për të mos u zbuluar ka fshirë bazën e të dhënave nga kompjuteri ku ka qenë i regjistruar incidenti nga kamerat e sigurimit të vendosura në klubin e natës. Gjithashtu, ka urdhëruar të punësuarit, që t’i fshijë gjurmët nga gjaku në një pjesë të objektit. Vrasja ndodhi të premten në mëngjes në qendër të Ohrit në diskotekën “Havana”. Madje, sipas informacioneve nga policia, analizat nga obduksioni do të zgjasin së paku edhe një javë. Por, thonë se sipas hulumtimeve të para, është konfirmuar se vdekja është shkaktuar si pasojë e ndaljes së zemrës, nga një goditjeje e fuqishme me një objekt të fortë në gjoks. Se çfarë fshihet pas kësaj vrasjeje në Ohër edhe atë në qendër të qytetit ende mbetet enigma. Ndërkohë edhe gjatë të së shtunës për qytetarët dhe turistët e Ohrit top temë ishte kjo ngjarje e padëshirueshme që tronditi mbarë opinioni. Në qytet thuren storje të ndryshme lidhur me këtë incident. Sipas një versioni jozyrtar, thuhet se bëhet fjalë për pastrim hesapesh ndërmjet një grupi mafioz nga Maqedonia dhe një grupi tjetër nga Serbia. Ndërkohë, paralelisht mediumet serbe njoftojnë se Dejan Novakoviq ka qenë sportist i njohur dhe ka jetuar në Beograd dhe se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë zënkë. Ndryshe, shtetasi serb, Dejan Novakoviq, sipas dëshmitarëve okular është rrahur deri në vdekje nga një grup prej 6 deri 10 persona. Zënka kishte filluar rreth orës 3 të mëngjesit në klubin e natës “Havana” në Ohër, derisa autoritetet lokale e ka dënuar incidentin në fjalë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›