E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet numri i të papunëve afatgjatë. INSTAT publikon të dhënat, ekspertët: Kërkohet vëmendje edhe nga sipërmarrjet

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në fund të vitit 2024, të papunët afatgjatë përbënin 75,8% të numrit total të të papunëve në Shqipëri. Shifrat kanë pësuar rritje krahasuar me vitin 2023, me rreth +4,9 pikë përqindje.

Edhe pse papunësia e përgjithshme e të rinjve 15–24 vjeç ra në 22,8%, një pjesë e madhe vijon të mbetet e bllokuar në papunësi afatgjatë.

Sipas ekspertit Zef Preçi, për kategorinë e të rinjve kërkohet një vëmendje më e madhe, pasi mungesa e perspektivës po i mban ata larg tregut.

“Problemi i papunësisë afatgjatë reflekton ato probleme strukturore që ka ekonomia shqiptare, mungesën e aktiviteteve prodhuese dhe njëkohësisht dobësitë që ka sistemi arsimor i vendit”, thotë eksperti.

Një tjetër faktor që nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës është edhe hapja e tregut për punëtorët nga vendet e treta, që krijon konkurrencë shtesë në tregun vendas.

“E fitojnë njëkohësisht edhe hapjen e dyerve të tregut të punës për fuqi punëtore, duke injoruar atë problematikë që ka ekonomia jonë”, thekson z. Preçi.

Eksperti Preçi ka disa sugjerime edhe për sipërmarrjen shqiptare, e cila sipas tij duhet të bëhet më aktive në nxitjen e punësimit.

“Është e vërtetë që në çdo krizë, bizneset synojnë që barrën e saj t’ia përcjellin të punësuarve. Varet tek intensiteti i punës, shfrytëzimi i punës jashtë orarit, mospagimi i siguracionit, fshehja e taksave e të tjerë“, nënvizon eksperti.

Eksperti Preçi thekson se qeveria duhet të braktisë qasjen asistencialiste ndaj bizneseve dhe të bëhet më e rreptë në mbledhjen e detyrimeve, si kontributet shoqërore.

Në të njëjtën kohë, shton ai, duhet më shumë bashkëpunim me organizatat e biznesit, duke i bërë ato pjesë të zgjidhjes.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›