Rritet numri i udhëtarëve në pikën kufitare të Vërmicës

Kjo fundjavë ka shënuar një rritje të konsiderueshme të automjeteve në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë, si në hyrje ashtu edhe në dalje të Kosovës.
Ata që gjatë kësaj kohe kanë shfrytëzuar bregdetin shqiptarë, thonë se ka shumë pushues atje, ndërsa nuk kanë pasur probleme, as në plazh e as gjatë rrugës.
Gjatë ditës së sotme, orët e drekës kanë qenë shumë të ngarkuara, në hyrje të pikës kufitare të Vërmicës, pasi numri i bashkatdhetarëve tanë, që po kthen nga vendet e perëndimit për pushime në vendlindje ka qenë i madh, transmeton RTK.
Ndryshe nga vitet e tjera, ata thonë se, po shërbehen shumë shpejt, si në Portin e Durrësit, ashtu edhe në pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Zyrtarët policorë pohojnë se ky fluks po përballohet pa asnjë problem, pasi policia kufitare, i ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë sezon.
Orët e mëngjesit janë më të ngarkuara në dalje të Kosovës, ndërsa e kundërta ndodh gjatë drekës, kur mbërrijnë edhe automjetet më bashkatdhetarët tanë, e në mbrëmje ky numër mund të dyfishohet, pasi këtij fluksi i bashkëngjitën edhe pushuesit. Për këtë, gjatë orëve të mbrëmjes, lëshohen në qarkullim edhe korsitë ndihmëse në hyrje, me qëllim që të mos krijohen radhë të gjata në kufi./Indeksonline/