E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet edhe një serb në pikën kufitare në Jarinje

Çedomir Markoviq nga Graçanica është arrestuar të shtunën në Jarinje dhe është dërguar në Prishtinë ku i është caktuar paraburgimi, raporton agjencia serbe Beta, duke shtuar se tash për tash nuk janë të ditura shkaqet e këtij arrestimi. Në të njëjtin pikëkalim kufitar dje është arrestuar Ivan Radivojeviq.

Radivojeviq, siç raporton B92, dje është arrestuar me urdhërarrestin e prokurorit kompetent të Kosovës. Policia e Kosovës, sipas medieve serbe, ka konfirmuar se Radivojeviq është arrestuar për shkak të dyshimit për krime të luftës.

Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj, transmeton sot KIM radio. Sipas kësaj radioje, Radivojeviqit, të arrestuar të premten, pas marrjes në pyetje nga prokurori i EULEX-it, Vitor Huga, në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, i është caktuar mbajtja në paraburgim.

Adokati i të dyshuarit Zhivojin Jokanoviq thotë se Radivojeviq dyshohet të ketë bërë krime në Fushë Kosovë gjatë marsit të vitit 1999, por ai mendon se për këtë nuk ka bazë të mjaftueshme, transmeton B92.

Radivojeviq jeton në Bllace të Serbisë.

Sipas medieve serbe, Aleksander Vulin, drejtor i drejtorisë së Qeverisë serbe për Kosovën, duke shfaqur shqetësimin e tij për këto arrestime, ka thënë se shteti i Serbisë është i brengosur nëse ekzistojnë akuza të fshehta dhe lista në të cilat nuk ka qasje dhe të cilat nuk dihet me kë kanë të bëjnë.

Sipas Vulin, Servia ka të drejtën që të di se mos qytetarët e vetë eventualisht kanë kryer krime të luftës. Vulin ka thënë se Zyra e tij “ sikundër deri tash maksimalisht do të angazhohet në mbrojtjen e të arrestuarve dhe mbrojtjen e familjes së tyre./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›