Rritet numri i vizitorëve në Përmet, tërhiqen nga natyra, trashëgimia dhe kulinaria

Përmeti po njeh një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve gjatë këtij viti. Vetëm në periudhën janar–korrik, qytetin e kanë vizituar rreth 60 mijë turistë.
Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë dhe Turizmit në Bashkinë e Përmetit, Etleva Myftari, bën të ditur se destinacionet natyrore, atraksionet kulturore e historike, si edhe kulinaria tradicionale, vijojnë të tërheqin një numër në rritje vizitorësh.
Sipas Myftarit, një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit ka edhe “bashkëpunimi i frytshëm mes Bashkisë së Përmetit dhe operatorëve turistikë, i cili ka ndikuar në promovimin e mëtejshëm të destinacionit”.
Për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje, qyteti ka zgjeruar edhe kapacitetet akomoduese. Aktualisht, në Përmet numërohen rreth 1 mijë e 600 shtretër në shërbim të turizmit, ndërsa pritshmëritë janë që fluksi i vizitorëve të vijojë të rritet edhe gjatë mujave të tjerë.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/