Rritet pakënaqësia në Bjellorusi
Bjellorusia feston sot ditën e pavarësisë.
Tradicionalisht këtë ditë zhvillohet një paradë ushtarake.
Por aktualisht, Bjellorusia po kalon krizën më të rëndë ekonomike që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Në fillim të muajit, qeverisë bjelloruse iu desh ta zhvleftësonte disa herë rublën bjelloruse.
Pasojat ishin radhët e gjata para pikave të furnizimit me karburant dhe blerjet masive në panik.
Njerëzit kanë frikë se paratë e tyre nuk do të kenë më vlerë. Valuta mungon në kioskat ku këmbehen paratë, sidomos dollari amerikan.
Niveli i inflacionit është rritur, megjithëse ministri bjellorus i Ekonomisë, Snopkov flet me optimizëm duke thënë se pritet ngadalësimi i ritmi të rritjes së inflacionit, i cili ka arritur nivelin vjetor prej 39 për qind.
Mediat ruse shkruajnë për pushime të mëdha nga puna në ndërmarrjet shtetërore dhe se qindra vetë shkojnë përditë në Moskë për të kërkuar punë. Edhe ndërmarrjet e vogla private përballen me probleme .
Eksperti rus i ekonomisë, Kyrill Koktysch, deklaroi:„Sipas vlerësimeve të ndryshme, rreth 800 mijë vetë kanë humbur punën. Nuk është e qartë se çfarë blejnë dhe me se blejnë njerëzit."
Ndërkohë edhe vetë presidenti autoritar Alexander Lukaschenko e ka pranuar ekzistencën e problemeve dhe ka kërkuar kredi si nga Komuniteti Ekonomik Euroaziatik ashtu edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).