Rritet shqetësimi global për pezullimin e Rusisë të marrëveshjes së grurit me Ukrainën

Presidenti i SHBA, Joe Biden paralajmëroi se uria globale mund të rritet për shkak të pezullimit nga Rusia të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB për të lejuar kalimin e sigurt për anijet që transportojnë grurë ukrainas.
Presidenti foli disa orë pasi Rusia njoftoi se do të ndalonte menjëherë pjesëmarrjen në marrëveshje, duke pretenduar se Ukraina organizoi një sulm me dron kundër anijeve të flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e Krimesë së pushtuar, ndërsa Ukraina e ka mohuar sulmin.
Marrëveshja për grurin ka lejuar më shumë se 9 milionë tonë drithë në 397 anije të largohen të sigurta nga portet e Ukrainës që kur u nënshkrua në korrik. Marrëveshja e grurit arriti të ulë çmimet globale të ushqimeve, të cilat kanë rënë me rreth 15% nga kulmi i tyre në mars, sipas Kombeve të Bashkuara.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti vendimin të parashikueshëm dhe tha se Rusia e ka përkeqësuar qëllimisht krizën ushqimore që nga shtatori. Aktualisht, rreth 176 anije të ngarkuara me grurë janë penguar të lundrojnë nga portet e Ukrainës.
“Ky është ushqim për më shumë se 7 milionë konsumatorë. Pse disa njerëz diku në Kremlin mund të vendosin nëse do të ketë ushqim në tryezat e njerëzve në Egjipt apo Bangladesh?” tha Zelensky.
Veprimi i Rusisë po përballet me dënimin ndërkombëtar. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i kërkoi Rusisë të ndryshojë vendimin e saj. Edhe Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, tha se është në kontakt me autoritetet ruse dhe është jetike që të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim që do të pengonte nismën e grurit.
/rtsh.al/