Rritja e pagave dhe pensioneve sa inflacioni, 3-4%
Rritja e pagave dhe pensioneve për vitin që vjen nuk do të kalojë një maksimum mbi 4 për qind. Gazeta “MAPO” ka zbardhur shifrat disa ditë më parë në lidhje me rritjen e pritshme të pagave dhe pensioneve. Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin e vitit që vjen, fondi për rritjen e pagave është vetëm 1 miliard lekë, i mjaftueshëm për një indeksim më pak se inflacioni. Sipas relacionit të projektbuxhetit, politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2012 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritare. “Gjithashtu, më 2012 në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vetë fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2012 do të përdoret vetëm pas miratimit të ministrit të Financave në përputhje me performancën e të ardhurave, sipas rasteve të përcaktuara në vendimin përkatës të qeverisë”, - thuhet në relacion. Ndërsa rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve është programuar mesatarisht 4 %, bazuar në fondet e përcaktuara si kontigjence për rritjen e pensioneve për rreth 1.5 miliardë lekë dhe shmangien e presioneve për pensione të parakohshme. Një element i veçantë në programimin e shpenzimeve për pensionet publike të vitit 2012, por edhe të viteve në vazhdim është përfundimi i reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension e nisur në vitin 2002. Kjo bën që në vitin e ardhshëm ritmi i pensioneve të reja të dyfishohet ose të arrijë në rreth 27.000 raste dhe me një shtesë neto rreth 11 mijë pensione. Ky ritëm shtohet në vitin 2014, kjo për shkak të ritmeve më të larta të lindjeve rreth 60 vite më parë. Sipas projektit të miratuar dje nga qeveria, fondi për rritjen e pagave për vitin 2012 do të jetë rreth 1.5 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se 2-3 për qind. Ndërsa fondi shtesë për rritjen e pensioneve nuk do të jetë më shumë se 1.6 miliardë lekë. Këto fonde për rritjen e pagave dhe pensioneve që pritet të vërë në dispozicion buxheti i vitit që vjen, mjaftojnë vetëm për indeksim me inflacionin, pohuan të njëjtat burime. Kështu, pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten. Qeveria, edhe me buxhet nën presion, ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës pavarësisht përqindjeve shumë të ulëta. Sipas programimeve në buxhet, fondi në dispozicion të politikave të reja të pagave dhe pensioneve është rreth 3 miliardë lekë. Sipas Financave, rritja e pensioneve në përqindje do të jetë për pensionet e fshatit 5% dhe ato të qytetit 3 %.
Fondi për rritjen e pagave
1 miliard lekë
Rritja deri 2-3 %
Fondi për rritjen e pensioneve
1.5 miliardë lekë
Rritja mesatare 4%