Reforma në administratë, shkurtohen 1345 persona nga 1 janari
Kështu, nga 89 560 punonjës që janë aktualisht në administratë, për vitin që vjen janë programuar të jenë rreth 88 640 punonjës. Ja institucionet që përfshihen në shkurtime
Numri i punonjësve buxhetorë do të reduktohet me 1345 persona gjatë vitit 2012, sipas programimeve të bëra në projektbuxhetin e vitit 2012, i cili dje u depozitua për diskutim në Kuvend. Kështu, nga 89 560 punonjës që janë aktualisht në administratë, për vitin që vjen janë programuar të jenë rreth 88 640 punonjës. Ministria e Financave argumenton se shpenzimet e personelit për vitin 2012 janë bazuar në një politikë që synon rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të burimeve njerëzore, parashikohen të ulen në terma realë nga 5.2% e PBB në 2011 në 5.1% e PBB në 2012-ën. Me konkretisht, kjo ulje ka ardhur si pasojë e reformave që parashikohen të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektiveve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2012. Gjithashtu, fondi i pagave është përllogaritur duke mbajtur në konsiderate rritjen e përgjithshme të pagave duke filluar nga data 15 korrik 2011, VKM nr. 463, datë 16.06.2011 “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në disa institucione shtetërore” i ndryshuar” si edhe VKM nr.472 datë 02.07.2010 “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore” i ndryshuar”. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, burimet në Ministrinë e Financave sqarojnë se një pjesë e konsiderueshme e fondit të pagave dhe pensioneve për vitin që vjen do të gjenerohet nga reforma që do të aplikohet në administratën publike në fillim të vitit që vjen. Ministria e Financave ka dy vite që udhëheq reformën, e cila do të bëhet shpejt realitet dhe që ka në themel racionalizimin e fondeve publike. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’u vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Struktura e re parashikon shkrirje të drejtorive dhe sektorëve me funksione të ngjashme në shumë dikastere. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë si, ato administrativë, subvencione etj., kostoja e personelit po i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Afati i reformës është janari i 2012-ës, fiks koha që përkon me hyrjen në fuqi të buxhetit 2012. Për shkak se tashmë, gati 2 të tretat e buxhetit të shtetit përdoren për paga dhe pensione. Pas reformës në paga, Ministria e Financave pritet të marrë edhe një reformë për rishikimin e skemës së pensioneve, e cila është rekomanduar me urgjencë nga Banka e Botërore.
Nr. i punonjësve 2011 2012
Ministria e Energjetikës 780 778
Ministria e Bujqësisë. 2,163 2,161
Ministria e Transportit 1,316 1,314
Ministria e Arsimit 39,023 38,901
Ministria e Shëndetësisë 3,444 3,442
Ministria e Punëve të Jashtme 615 552
Ministria e Brendshme 13,640 13,637
Ministria e Mbrojtjes 11,735 11,000
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave 155 155
Akademia e Shkencës 29 29
Ministria e Punës 1,419 1,417
Ministria e Mjedisit 1,360 1,358
Autoriteti i Konkurrencës 35 36