Rritja e temperaturave provokon shtim të dhunës

Nëse temperaturat e larta ju bëjnë nervoz, mos u merakosni pasi nuk jeni të vetmit. Sipas një studimi amerikan, të publikuar sot, në vendet me klimë më të nxehtë ka më shumë shenja dhune.
“Diçka e tillë mund të ketë pasoja katastrofale nëse vazhdon ngrohja globale e Tokës”, paralajmërojnë hulumtuesit nga Universiteti i Berkley dhe Princeton, publikuar në revistën “Science”.
“Parashikimi i së ardhmes mbetet gjithmonë delikat. Por, ne besojmë se efektet (në numër) janë mjaft të rëndësishme dhe ato duhet marrë seriozisht pasi kanë një ndikim në intensitetin e dhunës sot dhe në atë të fëmijëve tanë nesër”, tha Solomon Hsiang, autori kryesor i këtij studimi.
Për të arritur në përfundimin e bashkëveprimit të temperaturave të larta dhe rritjes së dhunës, shkencëtarët kanë kryer superstudime, mbi 60 të tilla.
Një prej studimeve, për shembull, vë në dukje se dhuna si sulmet, vrasjet, përdhunimet, dhuna në familje janë më të shpeshta kur rriten temperaturat.
“Provat e mbledhura tregojnë se njerëzit në botë nuk e përballojnë lehtësisht ekspozimin ndaj temperaturave të larta”, thekson në një deklaratë Marshall Burke, bashkautor i këtyre studimeve.
Shpjegimi i këtij fenomeni mbetet ende i paqartë.
Hulumtuesit thonë se ekzistojnë mjaft teori. Njëra prej tyre është prodhimi i ulët bujqësor për shkak të thatësirës dhe një prirje e njerëzve për të marrë armët, për të siguruar pra mbijetesën.
Si transmeton BW, temperaturat e larta mund të kenë efekte psikologjike duke shkaktuar elementë të dhunshëm.
“Konfliktet e dhunshme mund të ndodhin për një sërë shkaqesh, ato më të shpeshtat kanë lidhje me përkeqësimin e klimës”, shtoi Solomon Hsiang./indeksonline/