Terr(it)ori i Ramës
Konferenca dyditore e ashtuquajtur “Shqipëria e Gjeneratës së re” mbylli punimet e saj teorike për të hapur siparin e punimeve në terren të Ramës &Co(ço). Nuk kishte si mos të të bënte përshtypje se në këtë tryezë dy ditore u konkludua se “Rilindja” e Shqipërisë varet tek territori, jo tek taksa progresive, shëndetësia falas, legalizimi falas, lufta ndaj korrupsionit-paketa e ofertës elektorale të Ramës. Të shkuara të harruara, taksa progresive, shëndetësia dhe legalizimi falas konsiderohen tani legjenda urbane dhe blasfemi, pasi çka realisht u rikthye është “taksa Rama” -20%- e bëmave të Bashkisë, por tashmë në nivel qendror duke shtrirë tentakulat e vjeljes në të gjithë vendin.
Përse fokusi tek territori? Sepse aty është ngulitur babëzia e Ramës. Territori- “El Dorado” për sytë e Ramës- kjo dashuri e vjetër por e paharruar e Bashkisë së Tiranës, e cila ka përjetuar një dhunë po aq simetrike sa dashuriçkat e tjera të tij, rikthehet në fokus të Ramës tashmë që është vetë-shpallur, jo kryeministër i zgjedhur, por Kryetar i Bashkisë së Shqipërisë. Kanë kaluar dy vjet nga divorci i Ramës me Tiranën dhe shenjat e dhunës së tij urbane dhe sociale ndaj kryeqytetit ushtojnë edhe sot, por që falë lidershipit të ri të Bashkisë, po i nënshtrohen një terapie efikase kurimi me zgjatjen e bulevardit dhe projekteve të tjera urbanistike. Nga goja e Ramës, territori tingëllon terror, terror urbanistik dhe social. Një nga kryeveprat e tij të gjenocidit urban, e ndërtuar me tipare koloniale, është Komuna e Parisit. Nëse doni të njihni fytyrën dhe mendjen e vërtetë të Ramës, kaloni nga Komuna e Parisit...aty do të ndiheni si brenda mendjes së Piktorit, me migrenë dhe të çoroditur. Një labirint i vërtetë pallatesh, ku Minotauri shfaqet në formën e asfiksimit alla –geto. Në këtë dimension të ri-të një niveli qendror- Rama, vrasësi serial i gjelbërimit dhe lulishteve premton, nga CV-ja e punëve të pista të Bashkisë, t’i ktheje parqet kombëtare në kompleks pallatesh ndërsa pasuritë e tjera të vendit në çifligje për miqtë e tij vasalë. Kujtojmë këtu që babëzia e tij, nëse do të fitonte sërish Bashkinë me 2011, do të thante liqenin artificial të Tiranës për të ngritur pallate.
Terrori tjetër i Ramës ka të bëje me ruajtjen e terrorit të materializuar të Enver Hoxhës. Konferenca shpalli se mauzoleumi dhe vila e tij në bllok do të shërbejnë si vende për performanca dhe leksione. Në fakt, ato do të kenë funksionin e frymëzimit dhe krenarisë për pinjollët neobllokmenë duke marrë parasysh se Koçoja e pi kafen përballë vilës, ndërsa Rama tek kullat e Fidelit përballë piramidës-një soditje karikuese për epshet e tyre të mbrapshta, një kthim në identitet...
Territori në duart e Ramës është si në duart e një pushtuesi, përbën një kërcënim kombëtar. Stigmat tashmë janë shfaqur. Tradita e takimeve të mbyllura dhe orvatja për ta shndërruar postin e kryeministrit në një sekt okult ku hartohen pazare mbi pasuritë e vendin paralajmëron se projektit “Shqipëria e Gjeneratës së Re” do t’i dalë boja ashtu siç i ka dalë Piktorit për t’u transformuar në “Shqipëria e Degjenerimit të Ri”.