E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rritja mesatare vjetore e çmimeve ra në 2,2% në 2024-ën

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2024 u ul në 2,2%, nga 4,8% që ishte në vitin 2023.

Niveli më i lartë i inflacionit në dy dekadat e fundit u shënua në tetor të vitit 2022, konkretisht 8,3%, i lidhur ky me agresionin rus në Ukrainë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në muajin dhjetor inflacioni ishte 2,1%, kur një vit më parë ky ndryshim ishte 4,0%.

Ndryshimi mujor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2024, krahasuar me nëntor 2024 është 0,6%.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,03 pikë përqindje, pasuar nga grupi “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,32 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “pije alkoolike dhe duhan” ndikuan me 0,19 pikë përqindje, çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,18 pikë përqindje, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” me 0,14 pikë përqindje, çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” me 0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “hotele, kafene dhe restorante” me 0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,08 pikë përqindje, çmimet e grupeve “shëndeti” dhe “komunikimi” me 0,04 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “shërbimi arsimor” me 0,03 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “transporti” dhanë ndikim negativ prej 0,18 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin dhjetor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 5,6%, pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,2%, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “veshje dhe këpucë” me 3,8% secili, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0%, “hotele, kafene dhe restorante” me 1,8%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,7%, pasuar nga nëngrupet “mish” me 4,3%, “peshk” dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,5% secili, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1,6%, etj.

Krahasuar me muajin nëntor 2024, çmimet e grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënuan rritje me 1,1%, pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,0%, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,9%, “transporti” me 0,6%, “komunikimi” me 0,4%, “veshje dhe këpucë” me 0,3%, “shëndeti” dhe “hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,1%.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›