Rritje nga 20 deri në 40% në Tiranë/ Qiratë kryesojnë inflacionin në janar

Kryeqyteti po përjeton një nga krizat më të vështira të strehimit në vitet e fundit. Çmimet e qirave po vijnë në rritje nga viti në vit.
Sipas INSTAT, qiratë udhëhoqën rritjen e inflacionit edhe në janar të vitit 2026. Kjo gjë vërehet edhe nga ekspertët e agjencive imobiliare.
“Dhënia e apartamenteve me qira ditore ka ndikuar në çdo vend të botës, por edhe këtu, pasi kemi shumë studentë që duan të marrin apartamente me qira, por është bërë e pamundur”, shprehet eksperti i pasurive të paluajtshme, Dorjan Sanxhaku.
Çmimet e qirave në zonat urbane të Tiranës kanë pësuar një rritje që varion nga 20% deri në 40%, duke e bërë jetesën në qendër një luks të paarritshëm për pagën mesatare.
“Zona e Pazarit të Ri është 500 euro. Në zona të tjera si Blloku apo Komuna e Parisit i ke edhe me çmim 700-800 euro”.
Sipas ekspertit të pasurive të paluajtshme, Dorjan Sanxhaku, shpëtimi për familjet dhe studentët mbeten zonat periferike, por edhe aty ka rritje të qirave mujore.
“Zgjatimi i Paskuqanit ose komplekset e reja në autostradën Tiranë-Durrës, po ashtu Shkoza, Kombinati…”
Ekspertët parashikojnë që kjo tendencë në rritje do të vijojë sa kohë që kërkesa mbetet e lartë. Fitimet nga turistët tejkalojnë qiranë mujore tradicionale, ndaj shumë prej pronarëve po i kalojnë banesat në platformat Airbnb dhe Booking.