E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Rrjedhin” gabimisht mesazhet nga Shtëpia e Bardhë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes e quan Evropën ‘patetike’! JD Vance: E urrej ta shpëtoj përsëri

Anëtarë të lartë të kabinetit të presidentit Donald Trump janë përfshirë në një shkelje serioze të sigurisë, gjatë diskutimit të planeve sekrete ushtarake, për sulmet e fundit amerikane ndaj Huthit në Jemen.

Në një gabim të pazakontë, figurat kryesore të  administratës Trump, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e shtetit, Marco Rubio dhe drejtorin e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard komunikuan përmes një chat grupi në aplikacionin Signal, pjesë e të cilit ishte edhe një gazetar, kryeredaktori i Atlantic, Jeffrey Goldberg.

Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka bërë të ditur lajmin i cili ka nxitur zemërim dhe ka shkaktuar shumë reagime.

Një temë e qartë që doli nga biseda, sipas BBC, ishte edhe mungesa e ngrohtësisë ndaj Evropës.

Zëvendës-Presidenti JD Vance shkroi: “Unë thjesht e urrej të shpëtoj Evropën përsëri”.

Përdoruesi i identifikuar si Pete Hegseth, sekretari i mbrojtjes, u përgjigj tre minuta më vonë: “VP: Ndaj të njëjtën urrejtje me ju për transportet pa pagesë evropiane. Është patetike.”

Kjo nuk është hera e parë që Vance synon Evropën. Në shkurt ai nisi një “sulm” ndaj demokracive evropiane në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Vance akuzoi qeveritë evropiane se po tërhiqen nga vlerat e tyre dhe tha se ato po shtypin fjalën e lirë dhe janë arsyeja e migrimit masiv.

Fjalimi 20-minutësh u prit me kritika të ashpra nga Evropa dhe u etiketua si “i papranueshëm” nga ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius.

Ditë më vonë, Vance së bashku me presidentin Trump patën një bisedë të tensionuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë.

Evropa nuk ka reaguar ende ndaj mesazheve që janë publikuar nga gazetari Jeffrey Goldberg./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›