Rrjedhja në Gjirin e Meksikës, më e madhja në histori
Qeveria amerikane bëri të ditur se rrjedhja e naftës nga platforma e BP është më e madhja e ndodhur ndonjëherë në histori. Deklarata është bërë ndërsa kompania britanike po përgatitet për “të mbyllur” përfundimisht rrjedhjen në oqean. Një vlerësim i fundit i Uashingtonit thotë se gjatë gjithë periudhës nga shpërthimi i platformës më 20 prillin e kaluar e deri më tani, në ujë janë derdhur 4.9 milionë fuçi nafte. Kjo sasi shumë e madhe nafte ka shkaktuar dëme të mëdha në florën dhe faunën detare dhe jo vetëm atë të Gjirit të Meksikës, por edhe më gjerë, duke qenë se nafta është përhapur me shpejtësi në zona të tjera. Vlerësimet e reja në lidhje me rrjedhjen e naftës janë shumë herë më të mëdha se sa vlerësimet e bëra më parë. Shifra do të jetë kyçe në rastin kur do të llogariten dëmet e bëra, si për sa i përket mjedisit, ashtu dhe dëmet që u janë shkaktuar banorëve të zonave të prekura që praktikisht kanë pasur probleme të mëdha sa me peshkimin, turizmin dhe shëndetin. Shpërthimi dhe rrjedhja e “British Petroleum” është shumë herë më i madh edhe se rrjedhja e “Itox” në vitin 1979, sërish në Gjirin e Meksikës. Në atë rast, sipas llogarive, u derdhën në oqean tre milionë fuçi nafte. Me këtë rrjedhje mund të vihet përballë vetëm hedhja e qëllimshme e naftës në det, që u bë nga trupat e Irakut, në Luftën e Parë të Gjirit në vitin 1991. Të martën, kompania britanike ka testuar mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën pret që të vërë në punë ndalimin e rrjedhjes së naftës, një operacion që do të zgjasë disa orë. Në fund të operacionit do të ketë ndoshta një çimentim përfundimtar të grykës rrjedhëse. Ndërkaq mbetet që të vlerësohen që të gjitha llojet e dëmeve që ka shkaktuar rrjedhja dhe më pas do të kërkohet edhe fatura që, sipas parashikimeve, do të shkojë në shumë miliardë dollarë. Kjo është goditja më e rëndë dhe fatale që i ka ndodhur kompanisë që nga krijimi i saj.
#