E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hilet për të fituar në universitete

Raporti i kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet e larta është më i vogël krahasuar me një vit më parë. Nëse përvoja e vjetshme tregoi që fitues do të ishin afro 1 në 6 maturantë, këtë vit parashikohet që të drejtën për të ndjekur studimet e larta do ta kenë pothuajse 1 në 10 nxënës.

Nëse vjet kanë qenë 30 mijë nxënës që garonin për të fituar të drejtën e studimit në fakultetet e tyre të preferuara, sivjet numërohen rreth 37 mijë e 500 maturantë në të gjithë vendin. Edhe pse shifra e maturantëve ka ardhur duke u rritur, numri i fituesve do të jetë më i vogël. Kjo për shkak se edhe kuotat e pranimit në universitete për vitin e ri akademik 2010-2011 do të jenë më të vogla, të paktën në degët si mjekësia apo farmacia. Vendet e planifikuara për pritjen e studentëve të rinj në total për të gjitha universitetet e vendit janë 21725, nga të cilat 5665 i përkasin vetëm Universitetit të Tiranës, ndërsa vjet kuotat e pranimit në po të njëjtin institucion kanë qenë 5200 gjithsej. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë matematikore, arrihet në konkluzionin se kuotat e pranimit për vitin 2010-2011 janë rritur me 11 për qind, krahasuar me vitin 2009-2010. E megjithatë kjo shifër në rritje nuk tregon se maturantët duhet të gëzohen, sepse duke marrë parasysh raportin e fituesve, konkludohet se probabiliteti për të fituar të paktën në degët më të kërkuara si mjekësi, drejtësi, infermieri apo farmaci do të jetë shumë më i vogël. Kjo për shkak se edhe vendet “boshe” do të jenë më të pakta në numër. E kundërta do të ndodhë me degët e gjuhës dhe letërsisë apo anglisht, ku vendet e pranimit do të jenë më të mëdha dhe rrjedhimisht probabiliteti për të fituar do të jetë më i madh.

Kuotat për degë të caktuara

Fakulteti Ekonomik i UT-së ka numrin më të lartë të pranimeve për studentët e rinj, 1140 kuota. Kjo edhe për faktin se përveç katër degëve që ofrohen në Tiranë, janë edhe dy filialet, ai i Sarandës dhe i Kukësit. Një numër i konsiderueshëm prej 880 studentësh është propozuar edhe për Fakultetin e Shkencave Sociale falë nëntë degëve që ofrohen prej tij. Këtë vit në Fakultetin e Drejtësisë do të pranohen 700 studentë, duke e rritur me rreth 100 vende hapësirën për kandidatët e rinj, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa numri i pranimeve në Fakultetin e Shkencave Sociale është 600.
Ndërkohë që në krye të listës për nga kërkesat e shumta të maturantëve mbetet Fakulteti Ekonomik me degët administrim biznesi dhe financë kontabilitet.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bën të ditur se fakultetet e Universitetit të Tiranës vazhdojnë të kryesojnë në listat e përzgjedhjes së maturantëve, ku Fakulteti i Mjekësisë mban ende rekord.
Po ndërkohë vendin e parë për sa i përket numërimit të kuotave të pranimit e mban dega e teknologjisë së informacionit, dega e gjuhës dhe letërsisë si dhe anglishtja.

Formula “magjike”

Renditja e fituesve edhe për vitin e ri akademik 2010-2011 do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore, e cila është (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2). Kjo formulë do t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë një llogari të thjeshtë mbi pikët që mund të fitojnë, duke njohur vlerësimet e veta, pra duke u vetëvlerësuar, me synim shmangien e gabimeve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›