E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, vota kyçe në Parlament për Berluskonin

Votohet mocioni i mosbesimit ndaj një ministri nën hetim

Sot, Kryeministri italian, Berluskoni, do të ndodhet përballë një testi të fuqishëm për sa i përket pushtetit të tij, kur Dhoma e Ulët e Parlamentit do të votojë një mocion mosbesimi kundër një ministri të kabinetit të Berluskonit, i cili akuzohet për korrupsion. Rezultati i këtij mocioni, të kërkuar nga opozita, konsiderohet si një matës i fuqisë së Berluskonit, e cila ka rënë ndjeshëm së fundi për shumë skandale, në të cilat është përfshirë ai dhe njerëzit me të cilët ai drejton vendin. Por java e fundit, me problemet që i lindën me Finin, ka qenë me të vërtetë e keqe për Berluskonin, sepse bëhet fjalë për një ndarje përfundimtare me bashkëthemeluesin e partisë që është në pushtet, Populli i Lirisë, me të cilin prej kohësh kanë pasur divergjenca. Mocioni është kërkuar kundër ministrit të Drejtësisë, Kaliendo, i cili ndodhet nën hetim për përkatësinë e mundshme në një grup sekret që ka tentuar të ndikojë te gjykatësit që kanë pasur në dorë çështjet e shumta penale të Kryeministrit italian. Në rast se parlamentarët do të votojnë kundër ministrit, i cili është një nga beniaminët e Berluskonit dhe që i ka mohuar të gjitha akuzat që i kanë bërë, duke i cilësuar si “shpifje”, atëherë mund të fillonte një krizë e rëndë politike dhe qeveritare që me siguri do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ndarja ka ardhur pas muajsh shkëmbimesh të ashpra dhe replikash të rënda mes Kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit, Fini, në lidhje me shumë çështje të politikës, për të cilat ata duket se nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Fini, dikur një nga aleatët më të ngushtë të Berluskonit, madje që në zanafillën e karrierës së tij politike, është shndërruar në një kritik të hapur të tij dhe e ka pozicionuar veten larg manovrave të Berluskonit, duke i bërë thirrje që të ketë më shumë etikë në drejtimin e vendit. Ai ka kritikuar edhe planet e shtimit të rolit policor në Itali dhe çështjes së përgjimeve, duke deklaruar se çdo ministër që ndodhet nën hetim duhet që më së pakti të dorëhiqet. Një javë më parë, 33 deputetë, të gjithë njerëz të besuar të Finit, një ish-fashist i transformuar në një politikan liberal, janë shkëputur nga grupi i tyre parlamentar në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ndërkohë edhe në Senat, 10 senatorë kanë deklaruar se do të krijonin grupin e tyre. Në këtë mënyrë, kjo lëvizje mund t’i ketë marrë Berluskonit shumicën parlamentare, por mbetet ende e paqartë se si do të votojnë sot “të ikurit”. Vota do të zhvillohet, ndërsa Berluskoni do të jetë duke u takuar me Kryeministrin britanik, i cili ka ardhur për një vizitë në Itali. Kjo votë vjen edhe ndërsa vendi është duke kaluar një periudhë të fuqishme ekonomike, të karakterizuar nga masat për shkurtimin e shpenzimeve të buxhetit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›