E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksesi në financat e partive politike – Deputetët burra, pro caktimit të kuotave për forumet e grave e vajzave

Gjithnjë pushteti politik është përqendruar në duart e burrave me justifikimin e sigurimit të të ardhurave dhe sigurimit të jetesës familjare dhe shoqërore. Edhe pse roli i vajzave dhe grave tashmë është rritur në jetën shoqërore, ndikimi i tyre në strukturat politike vendimmarrëse ndesh ende vështirësi.

Këshilltaret bashkiake pa akses te financat e partive politike

Aurora Guska është një nga këshilltaret e Këshillit Bashkiak të Kukësit e angazhuar në politikë prej vitit 2008, por e njohur në zonë si avokate dhe aktiviste. Ajo prej dy mandatesh është pjesë e vendimmarrjes lokale.

Për të përballuar sfidat, me të cilat përballen gratë e vajzat në politikë, ajo është dashur që të punojë shumë, por edhe të ndeshet me mjaft vështirësi.

Një prej tyre është edhe aspekti ekonomik, pasi gjithçka thotë se e ka përballuar me financat e saj.

“Në politikë jam anëtarësuar që në vitin 2008, por edhe më herët kam qenë e interesuar për politikën lokale dhe jo vetëm, sidomos sa i përket qytetit tim. Unë jam nga Vlora me origjinë, por familje e kam krijuar në Kukës dhe jam një kuksiane e vërtetë. (qesh…). Aktualisht është mandati i dytë në Këshillin Bashkiak. Ju me shumë të drejtë pyesni se si ndihem në raport me kolegët, por dua të them se e shoh veten të vlerësuar, pasi mendimi im merret parasysh,” shprehet znj. Guska.

E pyetur për financimin e fushatave të saj apo mbështetjen e forcës politike që ka përfaqësuar, znj. Guska shprehet se ajo çka ajo ka konstatuar është fakti se për këtë çështje nuk ka ndasi mes vajzave dhe grave apo djemve e burrave, pasi nënkupton se mbështetja nuk jepet për kandidatët, pavarësisht gjinisë.

“Në lidhje me buxhetin, nuk ka të ndarë në burra dhe gra. Në dy “betejat” e mia elektorale, nuk jam financuar në fushata. Fushatën e kam bërë me kontributin tim, nuk ka qenë aspak e lehtë, por jam munduar që ti përballoj vetë shpenzimet,” thotë znj. Guska, e cila prej dekadash është njeri që merret me drejtësinë në rajonin verilindor.

Problematikat me mungesën e mbështetjes financiare për gratë dhe vajzat në politikë i pranojnë edhe djemtë apo burrat në këtë fushë.

Ligjvënësit burra pro caktimit të kuotave në partitë politike për forumet e grave dhe vajzave

Asllan Dogjani, një nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, e pranon se gratë dhe vajzat nuk financohen si dhe sa duhet në politikë nga forcat e tyre politike dhe se sfidat, me të cilat duhet të përballen, janë të shumta, sipas Institutit të Studimeve Politike.

“Në përgjithësi, gratë dhe vajzat përballen me më shumë vështirësi financiare sesa burrat kur kandidojnë për poste publike. Edhe pse ka përpjekje për të rritur përfaqësimin e tyre, mbështetja financiare nga partitë mbetet e kufizuar. Shpesh, gratë nuk kanë të njëjtin akses në rrjete financiare ose donatorë si burrat, dhe kjo krijon një dizavantazh të dukshëm për to,” thotë z. Dogjani.

Ai më tej thekson se do të ishte me shumë rëndësi që një pjesë e parave, që partitë politike marrin nga buxheti i shtetit, t’i kalojnë forumeve të grave e vajzave.

“Do të isha plotësisht dakord. Nëse duam një përfaqësim të balancuar gjinor në politikë, duhet të krijojmë mekanizma konkretë që ndihmojnë gratë të përfshihen në mënyrë aktive dhe të barabartë. Ndihma financiare për forumet e grave do të ishte një hap pozitiv, sepse do të ndihmonte në krijimin e një baze më të fortë për gratë që dëshirojnë të kandidojnë” shprehet ai duke theksuar më tej se “Mbështetja financiare është një faktor vendimtar në një fushatë elektorale. Nëse gratë do të kishin fonde të dedikuara për të mbuluar shpenzimet e tyre të fushatës, kjo do t’i ndihmonte jo vetëm të garonin në kushte më të barabarta, por edhe të kishin një zë më të fortë në vendimmarrje. Kjo do të përmirësonte diversitetin në politikë dhe do të sillte politika më gjithëpërfshirëse.”

Ndërsa i pyetur se kush goditet më shumë nga mungesa e financave, gratë e vajzat apo burrat e djemtë, ai jep këtë përgjigje: “Gratë dhe vajzat goditen më shumë nga mungesa e financave në politikë. Pavarësisht aftësive dhe përkushtimit të tyre, atyre u mungon mbështetja financiare dhe rrjetet e fuqishme që shpesh i ndihmojnë burrat në karrierën e tyre politike. Për këtë arsye, ne duhet të punojmë më shumë për të krijuar kushte më të favorshme për gratë në politikë dhe për t’u siguruar atyre mundësinë për të garuar në kushte të barabarta.”

Dogjani konfirmon se për një kandidat, i cili synon përfshirjen direkte në vendimmarrje, është shumë i vështirë sigurimi i financave sa kohë që partitë nuk i mbështesin sa dhe si duhet të gjithë kandidatët, duke nënkuptuar se partitë edhe brenda tyre mbështetjen për kandidatë të caktuar mund ta japin më të fortë në aspektin financiar.

“Kandidatët duhet të mbulojnë jo vetëm materialet promovuese, por edhe organizimin e takimeve me qytetarët, komunikimin me medien dhe logjistikën e nevojshme. Kam arritur të përballoj këto sfida falë një kombinimi të mbështetjes nga struktura politike, ndihmës nga miq dhe mbështetës, si dhe një menaxhimi të kujdesshëm të burimeve të disponueshme. Nuk është e lehtë. Mbështetja financiare nga partitë politike nuk ka qenë gjithmonë e njëjtë për të gjithë kandidatët. Në disa raste, partia ka siguruar fonde për organizimin e aktiviteteve të fushatës, por gjithsesi, një pjesë e madhe e barrës financiare bie mbi vetë kandidatin. Kjo është një sfidë e njohur për shumë politikanë, veçanërisht për ata që nuk kanë burime të mëdha financiare personale,“ thekson ai.

Vendi ynë u përfshi intensivisht në diskutimin e çështjes së kuotës gjinore prej 30 për qind të përfaqësimit të vajzave dhe grave në organet e zgjedhura politike shtetërore të çdo niveli dhe sidomos në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit 2009.

Të dhënat flasin se përfaqësimi i grave dhe vajzave në politikë ka shënuar rritje.

Në Parlamentin e Shqipërisë 35.7% janë gra e vajza deputete, pra 50 nga 140 deputetë në total. Vlen të theksohet, se Kryetarja dhe një nga nënkryetarët janë gra e vajza.

Në Këshillat bashkiakë të 61 bashkive në vend, 42.2% janë gra e vajza dhe 57.8% janë djem e burra. Në total numërohen 1.673 këshilltarë bashkiakë, ku 706 prej tyre janë gra e vajza ndërsa 967 janë djem e burra.

Sa i përket drejtimit të bashkive, vetëm 8 prej tyre janë gra e vajza, ndërsa pjesa tjetër janë djem e burra.

Sa i përket financimit të grave e vajzave në politikë, në tetorin e vitit 2024 në faqen e Kuvendit të Shqipërisë u publikua nisma, e cila parashikon që “të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike, u kalon në mënyrë të drejtpërdrejtë strukturave të grave brenda partisë politike dhe është i dedikuar për fuqizimin e vajzave dhe grave brenda partisë përkatëse”, iniciativë e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, si rezultat i katër studimeve me National Democratic Institute (NDI) dhe barometrit gjinor nga Westminster Foundation for Democracy.

Në relacionin shoqërues u argumentua se qëllimi i tij është vendosja e një kuote në financat publike të partive politike, për të garantuar aksesin e grave dhe vajzave dhe për të rritur përfaqësimin e tyre në politikë.

Ndërkohë, në fundin e muajit janar të këtij viti, komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi vlerën prej 150 milionë lekë për t’u shpërndarë partive politike për zgjedhjet e 11 majit. Në zgjedhjet e kaluara u shpërndanë 130 milionë lekë.

Fondi u rrit me 20 milionë lekë, për shkak se në këto zgjedhje do të votojë edhe diaspora por ende nuk ka ndonjë të dhënë nëse partitë do t’u përcaktojë ndonjë fond të caktuar grave e vajzave, përveç Partisë së Lirisë, e cila e ka sanksionuar në statutin e saj.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›