'Rrjetat Kompjuterike' vijnë në shqip
Promovimi i librit u organizua me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe morën pjesë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtar nga fusha akademike, politike, studentë etj.
“Synimi i këtij libri është që të japë një përshkrim të përgjithshëm të rëndësisë së rrjetave kompjuterike, dhe në mënyrë të veçantë të japë disa këshilla dhe udhëzime si të konfigurohen pajisjet kyçe që mundësojnë komunikimin në një rrjet kompjuterik me madhësi të mesme. Synimi i këtij libri është që të fillohet me të shkruarit e librave në gjuhën shqipe për një fushë si teknologjia informative, duke ditur që libra të tillë mungojnë për lexuesin shqiptar", tha Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si recensent dhe njëherit edhe botuesi i këtij libri.
Ai shtoi se duke qenë që nga fillimi i angazhuar për të ndjekur zhvillimet e këtij sektori, shpreson që autori edhe në të ardhmen do të vazhdojë të japë kontributin e tij duke na dhënë edhe botime tjera nga kjo fushë.
Kurse, Dr. Petrit Shala, recensenti tjetër i librit, tha se “Rrjetat kompjuterike” është libri i parë akademik në gjuhën shqipe që shtjellon në mënyrë të detajuar temat përkatëse në rrjetat kompjuterike.
"Ky libër përshkruan temat me rëndësi në lëmin e rrjetave kompjuterike, duke filluar nga hyrja dhe temat në vazhdim si përdorimi i algjebrës së Bulit në fushën e rrjetave kompjuterike, komponentët e rrjetave kompjuterike, arkitekturën e rrjetave LAN, modelet referencuese të OSI modelit dhe TCP/IP-në, IP -adresimi dhe subnetimi, komutimi ne LAN pra suiçi, ruteri, bazat e rrugëtimit, konfigurimi i rutereve, aplikimi i sigurise në ACL etj, duke shtuar se autori në këtë libër ka arrit në mënyrë të shkëlqyer të gërshetojë pjesën teorike me atë praktike", tha Shala.
Kurse autori i librit Haxhijaha tha se përveç studentëve të Universitetit të UBT-së, ky libër njëkohësisht mund t'iu shërbejë edhe atyre që punojnë në fushën e rrjetave kompjuterike ose duan të mësojnë më tepër për funksionimin dhe organizimin e kësaj lëmije.
Autori Haxhijaha paralajmëroi se së shpejti do të boton edhe libra tjerë.