E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festojnë me Filarmoninë e Vjenës

Për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, më 27 nëntor në Gjakovë është mbajtur një koncert festiv i disa anëtarëve të Filarmonisë së Vjenës.

Koncerti, i cili filloi në ora 20, u mbajt në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’. Ideator i këtij organizimi kulturor është violinisti nga Gjakova, Shkëlzen Doli, i cili është pjesë e filarmonisë më të njohur botërore, si dhe muzicienti tjetër gjakovar, Ruzhdi Sadiku. Ky prezantim i muzicientëve vjenez para publikut gjakovar u organizua nën patronazhin e kryetarit të komunës, Pal Lekaj.

Natyrisht, mbrëmja muzikore ngjalli një interesim të jashtëzakonshëm, aq më tepër kur ajo erdhi një natë para kremtimit të 100-vjetorit të themelimit të shtetit të Shqipërisë.

Para publikut gjakovar u interpretua vepra “Katër Stinët”, por edhe shumë vepra të tjera klasike, të cilat u pritën shumë mirë nga publiku.

Duartrokitjet e publikut nuk munguan as kur u interpretua “Marshi i Radetzky’t”, i kompozitorit gjerman, Johan Strauss, e i cili interpretohet tradicionalisht në koncertin që për çdo fundvit mbahet në kryeqytetin austriak nga Filarmonia e Vjenës.

Nga ana tjetër, duket se në Gjakovë, ku muzika klasike vlerësohet shumë, veprat e interpretuara a kënaqën edhe politikanë e përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë, të cilët gjithashtu u panë në publik. Për këtë ngjarje të këndshme muzikore, kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, falënderoi jo vetëm violinistin shqiptar, Shkëlzen Doli, por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të ansamblit të Filarmonisë së Vjenës. Sipas tij, kjo tregon se Gjakova ka ditur të ruajë dhe kultivojë kulturën e saj, të cilën gjë e vërteton edhe vetë mbrëmja me muzikë serioze, e sjellë në Gjakovë nga Filarmonia e Vjenës.

Ndryshe, e tërë përkrahja financiare për pritjen e 15 anëtarëve të Filarmonisë së Vjenës erdhi nga kreu komunal i Gjakovës.

Është kjo hera e parë që një orkestër kaq prestigjioz të qëndrojë në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›