E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Të rrojmë shoqnisht e vllaznisht

Anton Harapi

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën a Peigambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vëllaznisht. Pa kulturën njerëzore, nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz i e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa myslimanë edhe kristianë qi me vetëmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk shfaqin nji madhni shpirtnore të, cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyren të shumtën e herës bazohet, thjesht në nji zakon, në nji traditë, i në nji moskuptim të jetës fetare qi e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Nji kusht tjetër qi rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari em. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamëm fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. Më ka ra rasa për vjetë e vjete të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prapë e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e nji tjetri asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindsh të individualizmit egoistik. Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush ne edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshin edhe besimesh të ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kuj shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›