Rrogozhina kundër bashkimit me Kavajën, punonjësit e bashkisë bojkotojnë punën

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Dhjetëra banorë dhe punonjës të bashkisë së Rrogozhinës protestuan sot kundër draftit të propozuar nga Partia Socialiste për ndarjen e re territoriale, që parashikon ndër të tjera edhe shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin me bashkinë e Kavajës. Punonjësit e bashkisë që drejtohet nga socialistët bojkotuan edhe punën në shenjë proteste.
Protestuesit kërkuan që Rrogozhina të mbetet njësi e pavarur vendore, duke argumentuar se plotëson të gjitha kriteret për të funksionuar si bashki.
Ata u shprehën se Rrogozhina duhet të mbetet bashki më vete, sepse kjo nuk është vetëm çështje shërbimesh, por edhe identiteti.
“Unë si qytetar i Rrogozhinës jam kundër kësaj reforme sepse bashkia Rrogozhinë nuk i plotëson kushtet dhe kriteret që ka vendosur qeveria që të shkrihet si bashki dhe të bashkohet me Kavajën. Ne si Bashki kemi arritur shumë. Plazhë i Vilë Bashtovës ka marrë emër, kalaja e Bashtovës gjithashtu, plazhi i Spillesë është i paprekur. Ne kërkojmë investimet e qeverisë këtu, jo bashkimin e Kavajës. Kush na siguron ne që duke u bashkuar me Kavajën do rriten shërbimet për qytetarët e Rrogozhinës? Është e papranueshme që Bashkia të shkrihet. Kjo nismë është kundër çdo parimit tonin. Identiteti ynë humbet”, tha një qytetar.
Sipas tyre, bashkia e Rrogozhinës ka burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, një popullsi prej rreth 43 mijë banorësh dhe një ekonomi që gjeneron të ardhura. Ata theksojnë se Rrogozhina ka 34 vite që funksionon si bashki dhe nuk është krijuar nga reforma territoriale e vitit 2015.
“Bashkisë Rrogozhinë po i bëhet padrejtësi shumë e madhe. Ne si bashki i plotësojmë të gjitha kriteret për të qëndruar si bashki si burimet njerëzore, ashtu edhe financiare. Ne si bashki jemi 43 mijë banorë. Kemi një ekonomi që na ndihmon në të ardhura. Banorët janë kundër reformës. Kemi 34 vite që ekzistojmë. Nuk është një bashki e Reformës Territoriale të vitit 2015. Edhe në kohën e komunizmit kjo bashki ka qenë vendimarrëse. Ne nuk kemi dështuar. Arbjan Mazniku nuk i ka të sakta të dhënat për bashkinë e Rrogozhinës. Deri dje, kjo bashki klasifikohej e mirë sipas censit të qeverisë, prandaj ne nuk e pranojmë këtë reformë”, tha një punonjës.
Gjatë protestës, qytetarët i bënë apel Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe komisionit të Reformës Territoriale që të rishikojnë projektin dhe të mos miratojnë bashkimin e Rrogozhinës me Kavajën. Ata u shprehën se shërbimet ndaj qytetarëve ofrohen në mënyrë të kënaqshme nga bashkia e Rrogozhinës.
“Ne jemi në ditën e tretë të protestës qytetare. Pavarësisht nga problemet e Bashkisë Rrogozhinë, kjo protestë organizohet vetëm për shërbimet ndaj qytetarëve që e kryen vetë Bashkia Rrogozhinë. Bashkia Rrogozhinë e kryen shërbimet për qytetarët e saj. Nuk mund të bashkohemi me Kavajën. Bashkia e Kavajë nuk mund ta rregullojë Bashkinë e Rrogozhinës. Do jemi më keq, dhe shërbimet ndaj qytetarit do të jenë minimale. Kërkoj nga ana e Kryeministrit, Presidentit të Republikës dhe Komisionit të Reformës Territoriale ta shikojnë me vëmendje Bashkinë Rrogozhinë si aset, si virtyt e të ardhme për qytetarinë”, tha folësi.
Propozimi i PS-së për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime. Qarqet nuk preken nga reforma.
Gjithashtu, krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore, që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe parashikon që ato të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
/m.q/j.p/r.e/