Zjarret në Delvinë e Finiq, Lamallari: Prioritet mbrojtja e jetës dhe banesave, ndërhyrje me tre helikopterë

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari reagoi sot lidhur me situatën aktuale të zjarreve në Delvinë e Finiq.
Ministri Lamallari ndau edhe pamje nga evakuuimi i banorëve të zonave të prekura nga zjarret.
Lamallari u shpreh në një postim në rrjetet sociale se “prej orësh po përballemi me një situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit”.
“Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e forcave të shumta zjarrfikëse, të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe 3 helikopterëve”, tha ai.
Ministri Lamallari theksoi se prioritet absolut është mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e çdo pasurie të rrezikuar.
Lamallari u bëri thirrje banorëve që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë.
Më herët, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi se në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli, 60 vullnetarë, 40 forca të Forcave të Armatosura, si dhe Forcat e Armatosura me tre helikopterë, 2 “Cougar” dhe 1 “Black Hawk”.
/e.i/a.f/r.e/