Rrudha në fytyrë? Trajtimi më i ri, placenta e deles
Ai është ilaçi më i ri kundër rrudhave. Ashtu siç ndodh përherë, sekreti më i fundit i bukurisë vjen nga bota e njerëzve të famshëm, të cilët habisnin herë pas here me terapitë më të çuditshme.
Quhet Sheep Placenta dhe siç mund ta kenë kuptuar të gjithë ata që dinë sadopak anglisht, bëhet fjalë pikërisht për placentën e deles. Por ku konsiston ky trajtim i ri i kirurgjisë estetike, i cili është shpikur nga dy kirurgët estetikë nga Britania, Roberto e Maurizio Viel?
Placenta e deles është në fakt një zgjidhje shumë e mirë e problemit të rrudhave në fytyrë sepse është e pasur me qeliza staminale. Trajtimi i quajtur Actistem ka krijuar tashmë një listë shumë të gjatë pritjeje në radhët e yjeve të botës së spektaklit.
Por si funksionon ky produkt i ri, që pritet të shndërrohet në pasuesin e denjë të botoksit. Fillimisht kirurgu aplikon në fytyrën e pacientes një krem me efekt mpirës, i cili lihet në lëkurë për të paktën 15 minuta.
Menjëherë pas kësaj, mbi fytyrë kalon një masazhues në formë ruli, i cili përmirëson qarkullimin e gjakut. Pas kësaj, placenta e deles shtrihet në fytyrë, duke nisur nga pjesa e ballit.
Proteinat në brendësi të saj stimulojnë prodhimin e kolagjenit. I vetmi rekomandim i mjekut pas këtij trajtimi është që fytyra të mos lahet në 12 orët që vijojnë. Kirurgët që e kanë shpikur garantojnë një kohëzgjatje të efektit të paktën 6 muaj. / Gazmira Ndoja