E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrudho: “Bogdani, Toti i Shqipërisë”

Edhe ai në kombëtare. I lumtur dhe në formë. Si Kievo ndaj Kaljarit. Erjon Bogdani ka rinisur të marrë frymë. Pasi goditi në zemër Romën në "Bentegodi" nuk kishte arritur më të ishte vendimtar. Ulje e ngritje. Dritë dhe hije. Stuhi dhe kthjelltësi. E vështirë të kuptosh botën e Princit të Epirit. Por në Sardenjë Erjoni rigjeti vetveten. Një gol i thjeshtë, i cili kurorëzoi një paraqitje pozitive. Dhe kështu shkon mirë, shumë më mirë. Dje ai i përshëndeti të gjithë dhe u nis drejt Tiranës. Me Shqipërinë do të luajë të shtunën dhe të mërkurën, dy sfida me të vërtetë delikate për eliminatoret e Euro 2008: me Slloveninë në shtëpi, Bullgarinë në trasfertë. "Tani jam mirë, dhe shpresoj të jem vendimtar edhe në kombëtare. Jam i lumtur për Kievon, por është Kievo që më lumturon. Verona vazhdon të jetë ‘trampolina' ime ideale. Morali? I mirë, shumë i mirë. Por jo për golin, por për paraqitjen e skuadrës. U rikthyem në momentin e duhur, dhe unë arrita të bëja atë që i kisha vënë si qëllim vetes", shprehet Bogdani. Erjoni kërkon gola të rëndësishëm edhe me Shqipërinë, duke menduar për Kievon dhe për ta mbyllur këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme.
Goli i riktheu buzëqeshjen: "Goli është gjithcka për një sulmues dhe Kievo për këtë më mori. Edhe unë nuk arrija të kuptoja motivin e këtij rendimenti jo të vazhdueshëm, por në Kaljari mora përgjigjen që kërkoja". Bogdani largohet i lumtur: "Tani e kam mendjen tek kombëtarja. Kur të kthehem, gati për Sampdorian".
Dhe Rrudho e shikon plot admirim: "Në Shqipëri, Erjoni është një simbol. Për tifozët shqiptarë është si Toti...".
"Gazeta Sporti"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›