E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rruga Shëngjin–Velipojë, ballkoni panoramik mbi Ranën e Hedhun tërheq vizitorë të shumtë

E hapur vetëm pak javë më parë, rruga Shëngjin–Velipojë ka sjellë jo vetëm lehtësim të ndjeshëm të lëvizjes midis dy prej zonave më të njohura bregdetare të veriut, por edhe një atraksion të ri që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.

Një nga pikat më tërheqëse të rrugës është ballkoni panoramik, i ndërtuar mbi zonën piktoreske të Ranës së Hedhun. Ky kënd i veçantë vëzhgimi ofron pamje spektakolare të detit dhe peizazhit natyror përreth, duke u kthyer në një vend ideal për foto, pushim dhe admirim të natyrës.

Vizitorët e shumtë, që ndalojnë çdo ditë në këtë pikë, vlerësojnë investimin si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në Shëngjin dhe Velipojë. Sipas tyre, kjo rrugë ka sjellë jo vetëm përmirësim të infrastrukturës, por edhe një përvojë të re për këdo që dëshiron të shijojë bukuritë natyrore të Shqipërisë.

“Unë detyrohem të vij nga Hasi, shkoj në Shkodër dhe këtu në Velipojë. Domethënë 45 minuta nga Shkodra në Velipojë, ndërsa këtu qenka bërë një kryevepër,” thotë një qytetar.

Rruga Shëngjin–Velipojë jo vetëm që lidh dy destinacione të rëndësishme bregdetare, por po krijon edhe mundësi të reja për promovimin e turizmit gjithëvjetor në veri të vendit.

Gazetare: Nermin Spahiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›